Braun GP, 270 vetë largohen nga puna
Menjëherë pas festës së Çmimit të Madh të Australisë dhe shampanjës për dy vendet e para në debutimin e këtij sezoni, Braun GP zbret me këmbë në tokë. Skuadra më e re në Formula 1 tashmë kthehet në realitet dhe përballet me krizën ekonomike dhe paratë. Fondet nuk janë të mjaftueshme, pavarësisht afrimit të sponsorit "Virgin" dhe për këtë arsye skuadra britanike njoftoi largimin nga puna të 270 personave. "Është diçka e pakëndshme për t‘u thënë, por vendimi për shkurtime në organikë varet nga rregullat e reja teknike", shpjegoi administratori Nik Fri. "Momentalisht me ne punojnë afro 700 persona dhe pas bisedimeve me stafin vendosëm që numri i të punësuarve të jetë 430". Braun GP "lindi" pas tërheqjes së skuadrës Honda, e cila u largua nga Formula 1 pas rritjes së kostove për pjesëmarrjen në gara. Skuderia, e drejtuar tashmë nga ish-drejtori teknik i Ferrarit, Ros Braun, dominoi gjatë fundjavës në Melburn, por fakti që ata kanë dy makina mjaft konkurruese, nuk mjaftoi për të luftuar krizën.