E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Jemi më mirë se vendet e tjera, nuk do ketë shtyrje për vizat



Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi dje se pala shqiptare ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. “Ne nuk kemi kërkuar të jemi shtesë, apo zgjatim i askujt në këtë proces. I kemi qëndruar me dinjitet gjithmonë qasjes sonë që ky është një proces meritash. Nuk kemi kërkuar të na bëhet asnjë lëshim, por përkundrazi të vlerësohemi realisht për detyrime të plotësuar, të cilat më lejoni edhe një herë t’jua them se i kemi plotësuar më mirë se vendet e tjera, që e kanë kaluar tashmë këtë proces”, tha Bregu. Ajo tha më tej se nuk ka asnjë vlerësim negativ për Shqipërinë e se në raport me Bosnjën, që pret nga ky proces pavarësisht problematikave të zhvillimeve të tyre të brendshme apo të problemeve politike, Shqipëria nuk është mbrapa. “Ne jemi në plotësim të detyrimeve të vendosura, por për më tepër dhe në plotësim të iniciativave të marra së brendshmi, që ndoshta asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e udhërrëfyesit, por që na kanë bërë të jemi një hap para në këtë proces duke dëshmuar seriozitet dhe vullnet në plotësimin e një dokumenti të rëndësishëm sikurse ishte udhërrëfyesi”, shtoi ajo. Ministrja u shpreh optimiste se nuk do të ketë shtyrje të procesit dhe pritet që brenda vitit 2010 shqiptarët të udhëtojnë lirshëm në hapësirën Shengen. Deklaratat e ministres u bënë gjatë mbledhjes së nënkomitetit të 3-të të Stabilizim Asociimit. Shtatë nënkomitetet, të cilat janë rrjedhojë dhe respektim i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit janë: inovacioni dhe shoqëria, informacioni dhe politikat sociale (që është zhvilluar këto ditë), tregtia, industria dhe doganat, bujqësia dhe peshkimi, çështjet financiare dhe statistikat, tregu u brendshëm dhe konkurrenca. “Do të doja t’ju theksoja se në datat 3- 4 maj, në Bruksel do të zhvillohet Komiteti i Përbashkët Parlamentar i Stabilizim Asociimit, midis Parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Evropian, një forum i hapur ky i diskutimit dhe debatit. Ndërsa në datën 10- 11 maj, do të mblidhet Këshilli i Stabilizim Asociimit, forumi më i lartë i cili diskuton dhe është vendimmarrës për çështjet, të cilat janë monitoruar gjatë një viti të MSA-se”, tha Bregu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›