Berisha: 200 inspektorë policie transferohen në Policinë e Kufirit
Kryeministri Sali Berisha informoi dje në mbledhjen e Qeverisë se 200 punonjës policie e inspektorë do të transferohen në Policinë e Kufirit. Ai tha se këta i përkasin kryesisht inspektorëve që merren me ruajtjen e objekteve shtetërore. Arsyeja e transferimit është forcimi i mëtejshëm i Policisë së Kufirit, kërkesë për liberalizimin e vizave. “Policia e Shtetit do përputhet me detyrimet e reja që dalin nga procesi i heqjes së vizave”, tha Berisha. Sipas kryeministrit, do të merret çdo masë për realizimin e shpejtë të objektivave për liberalizimin e vizave. “Vazhdon reforma e policisë. Këtë herë jo me shkurtime, por hiqen nga objektet 200 inspektorë dhe punonjës të Policisë së Shtetit dhe dërgohen që të gjithë në policinë e kufirit, sepse procesit të heqjes së vizave, duhet t’i përgjigjemi me shkallë më të lartë të përgjegjësisë në sektorin e migracionit, të luftës kundër drogës. Në përputhje me obligimet e reja madhore që dalin nga procesi i heqjes së vizave, të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me objektivat dhe kërkesat e udhërrëfyesit duhet të konsolidohen gjithnjë e më shumë”, u shpreh Kryeministri. Kryeministri Berisha tha se do të vazhdojë ristrukturimi i Policisë së Shtetit, në përputhje me obligimet e reja të Shqipërisë, që dalin nga procesi i heqjes së vizave. Në këtë kontekst, Berisha theksoi se është bërë e qartë se sistemet tona janë ndër më modernet, duke informuar se një tjetër gjysmë milion euro është për fuqizimin e serverëve dhe të të gjitha potencialeve të këtyre sistemeve. Aktualisht ka një drejtori më vete për policinë e Kufirit e cila është e angazhuar të merret me të gjitha problematikat e kufirit.