Bregu:Opozita të votojë më 6 gusht heqjen e imunitetit

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu i ka bërë apel sot opozitës të votojë më datën 6 gusht heqjen e imunitetit si një kusht që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive për marrjen e statusit kandidat në vjeshtën e këtij viti.
Në një konferencë për shtyp, ministrja Bregu theksoi se heqja e imunitetit është edhe i vetmi detyrim i papërmbushur i kërkuar nga Komisioni Europian për Shqipërinë.
"Imuniteti dhe heqja e tij janë i vetmi detyrim për të plotësuar kalendarin e 12 pikave të kërkuara nga Komisioni Europian. Sot kemi një çështje urgjente për të zgjidhur dhe kjo është heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë në kuadër të planit të veprimit dhe konkretisht pikës 8 ku përfshin luftën kundër korrupsionit” tha Bregu.
Sipas ministres së integrimit, 6 gushti është shansi për të çuar përpara procesin e integrimit dhe jo tekë e mazhorancës. “Nëse opozita mendon se korrupsioni është një sfidë që duhet fituar dhe nëse opozita është një institucion i këtij vendi dhe jo pengmarrje e zotit Rama dhe frikës së tij, atëherë të votojë në 6 gusht. Shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh Edi Ramës për të humbur shansin e merituar, vetëm se Rama kërkon të ruaje lidhjet e tij të dukshme dhe të padukshme me krimin tha Bregu.