Brenda tetorit hapet tenderi për privatizimin e 4 hidrocentraleve
Ministria e Ekonomisë ka propozuar një formulë që lehtëson procedurat e tenderit
Brenda këtij muaji pritet të hapet sërish tenderi për privatizimin e katër hidrocentraleve. Burime nga ministria e Ekonomisë bëjnë me dije se javës tjetër do të bëhet edhe njoftimi për hapjen e këtij tenderi. Mësohet se aktualisht ministria e ekonomisë ka propozuar një formulë që lehtëson procedurat e tenderit, konform kërkesave të kompanive, të cilat shprehën që në krye të herës interes për të privatizuar këto hidrocentrale. Propozimi për formulën e re është duke u vlerësuar nga specialistë deri në marrjen e një vendimi të afërt nga qeveria. Tenderi për privatizimin e katër hidrocentralet, Bistrica 1 dhe 2 si dhe Ulez- Shkopeti u shty në kohë pasi kompanitë e interesuara ne gare kishin shfaqur ankesa lidhur me formulën e shitjes, e konkretisht për mënyrën se si do të operonin në treg pas blerjes së tyre. Ndaj interesi i tyre nuk u konkretizua në ofertë konkrete në garën që u zhvillua. Deri në momentin e shpalljes së afatit të tenderit, I cili nuk u realizua, ishin 8 kompani që kishin paraqitur interes. Sipas informacioneve nga dikasteri i energjetikës ato kërkuan ndryshime që lidheshin me zgjatjen e afatit kohor për të siguruar kreditim, por edhe me disa saktësime që lidhen me raportin që do të kenë firmat me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, pas privatizimit të HEC-eve. Sipas të dhënave të katër këta hidrocentrale prodhojnë rreth 406 milionë kilovat orë energji në vit ose gati 5.5 për qind e të gjithë energjisë që prodhon Shqipëria. Qeveria synon që të përvetësojë të paktën 100 milionë euro nga privatizimi i të katër hece-ve. Deri më tani publikisht janë lakuar “CNR & CN’AIR” (leader CNR) franceze, “VERBUND Hydro Poëer AG-Austri”, austriake s id he dhe “EVN-Austri”.