E Martë, 3 Nëntor 2026

Brenda vitit 2030, Shqipëria vend sovran në energji

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste shpalosi sot programin e PS-së “Shqipëria 2030”. Duke u ndalur tek energjia, kreu i qeverisë theksoi fillimisht se në vitin 2013, 50% e prodhimit që transmetohej në rrjet, humbiste ose vidhej.

Rama theksoi se Shqipëria po diversifikon burimet e energjisë, duke kaluar nga një sistem i mbështetur kryesisht në energjinë hidrike në një sistem që përfshin gjithashtu energjinë fotovoltaike. Rama tha se 10% e prodhimit të sotëm të Republikës së Shqipërisë është fotovoltaike dhe brenda mandati të katërt synohet të shkohet në 30%.

“Vijmë tek gropa më e madhe ku ne e gjetëm Shqipërinë në 2013, energjia. 50% për qind e prodhimit që transmetohej në rrjet, humbiste, vidhej. Sot jemi në normat pak a shumë të mesatares europiane dhe ajo që është më e rëndësishmja që duhet ta dinë të gjithë, për herë të parë, për herë të parë, qysh se ne kemi marrë detyrën, një qeveri e Shqipërisë ka rritur prodhimin, pra ka rritur burimet dhe ka rritur kapacitetet prodhuese të Shqipërisë.

“Nga një anë, burimet sot nuk janë vetëm hidrike, siç ishin. 10% e prodhimit sotëm të Republikës së Shqipërisë është fotovoltaik, në 2030, duke shkuar 30% dhe në mandatin e katërt, ne do të marrim përfundimisht, përfundimisht, pozicionin e një vendi sovran në energji, nuk do kemi më nevojë të importojmë energji nga askush, përkundrazi, jo vetëm do të kemi për vete, por do të mund t’u eksportojmë të tjerëve”, tha Rama.

Kryeministri kritikoi qeverisjen e kaluar për vendimet që sipas tij kanë dëmtuar sektorin energjetik të Shqipërisë. Rama përmendi dhënien e katër hidrocentraleve të shtetit një kompanie private, një veprim që ai e quajti si “një nga krimet më të mëdha ekonomike”.

Rama foli edhe për përmirësimin e infrastrukturës dhe reduktimin e humbjeve në rrjet, duke theksuar se vjedhja e energjisë ka rënë drastikisht dhe arkëtimi është bërë më efikas.

“Tani, kur ne morëm detyrën, fuqia e përgjithshme prodhuese, se kjo është shumë e rëndësishme, kjo ishte fuqia e përgjithshme prodhuese e Shqipërisë. Ju kujtohet këneta, ndoshta duke u bazuar edhe te uji vetë, premtonte “Shqipërinë superfuqi energjetike”. Diku ma kapi veshi prapë në një nga ato uuuu-të e bufit. “Superfuqia energjetike” e premtuar ishte kjo, gjithë ajo shifër lart është sekretari i parë i sekretarit, që u bë pastaj kryetari i partisë opozitare. E kishte bërë shoku Enver atë bashkë me diktaturën. “Këneta” shtoi vetëm këtë shifër këtu dhe e shtoi me skemë mbështetëse, pra duke i dhënë lekë kompanisë që ndërtoi dhe prodhimin këneta e rriti vetëm me 241 MWh. Shikoni, sot prodhimi ishte atje kur ne e morëm, pra, shoku Enver me shokun Buf, atje, këtu është rezultati”, u shpreh Rama.

“Pra, dyfish prodhim, 3298 MWh dhe këtu do shkojmë në 2030. Kjo do të jetë Shqipëria sovrane dhe të gjitha këto janë të planifikuara nuk janë ëndrra, janë të gjitha në tavolinat e Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës. Dhe ka dhe një gjë tjetër që shoku Buf bëri, që është një nga krimet më të mëdha ekonomike që i janë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve nga pushtetarët, që katër hidrocentrale ia mori popullit dhe ia dha një privati. Nuk e bën njeri këtë, nuk ndodh kjo asgjëkund. Nuk ndodh, ia mori popullit dhe ia dha një privati dhe pse ia dha? Në këmbim të TVSH, ia hoqi sistemit publik dhe ia dha një privati, pra 50% e prodhimit të shokut Enver, vidhej. Ndërkohë që, sot ne kemi, jo vetëm dyfish prodhim nga çfarë gjetëm nga shoku Enver me shokun Buf, por kemi edhe një rënie drastike të humbjeve në rrjet, ndërkohë që sot vjedhja e energjisë është një gjë shumë e rrallë dhe arkëtimi është i plotë”, u shpreh Rama.

Rama u ndal dhe tek ulja e çmimit të energjisë.

“Çmimi i energjisë nga 1 shkurti, çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë, 1 milion e kusur, u ul me 10,5%. 95% e klientëve familjarë morën ulje të çmimit”, u shpreh Rama.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›