E Diel, 1 Nëntor 2026

Bretkosat e qeverisë

 

"Spiuni", i pikëlluar shumë për mbi 50 mijë viktimat e tërmetit në Kinë, mendoi si për popullin e vet i cili prej 18 vitesh po ndërton pa pushim ndërtesa të bukura, por që nuk dihet se ku i kanë themelet. Nuk mungojnë vetëm themelet, por nuk ka as autoritete që duhet të kontrollojnë për rrezikshmërinë e banesave që nuk plotësojnë kriteret e sizmikes, në një vend që llogaritet të jetë në një zonë tektonike shumë aktive. "Spiunit" iu kujtua fati i keq i një punonjëseje të Institutit të Sizmologjisë, e cila vetëm dy ditë pas gjëmës qeveritare në Gërdec doli dhe raportoi se nga shpërthimi i magazinës ishte shkaktuar një tërmet 3.5 ballë i shkallës Rihter. Po ne kush do të na lajmërojë kur larg qoftë të na bjerë sërish ndonjë tërmet si ai i 15 prillit 1979?

"Spiunit" iu bë mësim pësimi i kinezëve të cilët mund ta kishin paraprirë katastrofën, po të kishin kuptuar sjelljen e kafshëve. Sipas kolegëve kinezë qindra mijëra bretkosa ikën, disa ditë para katastrofës nga qyteti që u bë epiqendër e tërmetit shkatërrues që goditi Kinën jugperëndimore. Migrimi i pazakonshëm i bretkosave, të cilat vërshuan rrugët e qytetit Mijanjang, shkaktoi komente të shumta dhe të moshuarit, një ditë para tërmetit thanë për gazetat se migrimi i bretkosave paralajmëron katastrofë. Këtë dukuri popullata më e re e priti me të qeshura duke bërë shaka se bretkosat kanë dalë në rrugët për ta pritur pishtarin olimpik. Dy ditë më parë qeveria shqiptare ka akorduar një kontribut financiar prej 40 mijë dollarësh në ndihmë të popullit vëlla kinez. "Spiuni" i sugjeron kryeministrit që të financojë edhe kultivimin masiv të bretkosave në qendrat urbane, që kur gjëma të vijë, në mungesë të autoriteteve kompetente, bretkosat të na lajmërojnë për të ikur siç ka thënë Naimi i madh "larg nga qyteti, nga rrëmuja dhe rrëmeti". Sepse atëherë Gërdeci i qeverisë më 15 mars 2008 do të dukej lule para Gërdecit sizmologjik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›