E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugët e floririt

 

Kryeministrit Sali Berisha po i hanë duart për të prerë një shirit përurimi për një copë rrugë të re. Jo se nuk ka shirita dhe gërshërë, por nuk ka rrugë të bërë. Dhe na kish premtuar shumë rrugë: "Vazhdimi i korridoreve lindje-perëndim dhe veri-jug, me përparësi segmentin e rrugës Lushnjë-Vlorë, ndërtimi i autostradës Durrës-Prishtinë dhe boshtit qendror të jugut, zgjerimi i kapaciteteve të porteve të Durrësit, Vlorës, Sarandës, Shëngjinit sipas destinacionit më të përshtatshëm të tyre janë prioritetet kryesore të qeverisë në 4 vitet e ardhshme. Krahas tyre do të fillojnë punimet ose do të përgatiten projektet edhe për segmente të tjera të rëndësisë kombëtare",- thuhet në programin e qeverisë (shih www.km.gov.al).

Se sa ka bërë shkoni në ferrin që quhet rruga që çon në Vlorë, e cila është bërë si pëlhura e Penelopës. Tani në vitin e fundit të mandatit del dhe thotë se do të bëjë rrugët dytësore dhe ato rurale.

Dy ditë më parë na njoftoi se do të nisë ndërtimin e 1500 kilometrave rrugë dytësore, me fond 420 milionë dollarë. "Fondi i arritur është rreth 420 milionë dollarë. Projektet janë paraqitur dhe është përzgjedhur Fondi Shqiptar i Zhvillimit siinstitucioni i ngarkuar për prokurimin edhe zbatimin e këtyre projekteve, të cilat shtrihen në mbarë territorin e vendit nga qarku i Vlorës, respektivisht Saranda deri në qarkun e Kukësit, në veri të vendit,"-tha Berisha i ekzaltuar dhe shtoi se gjatë tre viteve të fundit janë ndërtuar e ristrukturuar me qindra kilometra rrugë, që përfshihen në totalin prej 18 mijë kilometra rrugë të vendit!!! "Spiuni" iu rikthye programit qeverisës: "Në veçanti në 4 vitet e ardhshme do të kryhet shtrimi e asfaltimi i 4000 km rrugë rurale me efekte të shumëfishuara në uljen e varfërisë dhe rritjen e mundësive për zhvillim të zonave rurale e malore të vendit".

Por "Spiuni" bëri edhe një llogari tjetër. Këto nuk do jenë rrugë fshatrash, por rrugë të florinjta. Sepse një kilometër rrugë fshati që zakonisht përfundon te hedhja e çakëllit dhe një cipe bitumi, do të kushtojë rreth 2.8 milionë dollarë. Apo sa një kilometër te rruga "patriotike" e Durrës-Kukës-Morinë, (jo ajo që bëjnë turqit). Sekreti? Duhen paratë për fushatë dhe për të bërë ndonjë lek me asfalt elektoral.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›