“Brez Tik Tok-u që nuk lidhin dot 7 fjalë bashkë” -Rama nuk i ndal sulmet ndaj studentëve: Kanë nevojë për psikologë, njerëz pa shkollë! Brumbuj që brejnë jetën
Kryeministri Edi Rama ka vijuar me akuzat dhe sulmet ndaj studenteve, që prej disa ditesh kane dalë në proteste duke kerkuar dorëheqjen e kreut te qeverise.
Rama theksoi se të rinjtë që marrin pjesë në protesta nuk mund të konsiderohen automatikisht terroristë, por i konsideroi ata si brez tik toku qe nuk lidhin dot 7 fjale bashke.
Sipas kryeministrit ata qe sulmojne dhe dhunojnë janë të rinj dhe të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në SHBA, të cilën, siç tha Rama, presidenti i SHBA e ka shpallur organizatë terroriste, ANTIFA.
“Natyrisht, që kjo nuk do të thotë aspak që kush sot proteston paqësisht edhe pse janë shumë pak ata që protestojnë paqësisht, sepse dhe vajzat dhe djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në SHBA, të cilën presidenti i SHBA e ka shpallur organizatë terroriste, ANTIFA. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i SHBA. Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot 7 fjalë bashkë, mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente, po patjetër. Janë nxënës dhe nxënese, po patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision; shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka, bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para. Ata që janë këtu pak më në moshe, i kanë ende kutjimet e asaj kohe, nga ku ne dolëm pas 50 vitesh iluzion se do bëhej rrafsh dhe fillonte nga e para. Kështu po, është fatkeqësi shumë e madhe. Unë do ta quaja një fatkeqësi kombëtare sot që forcat e policisë, që djemtë dhe vajzat, që burrat dhe gratë dhe mbi të gjitha, të gjithë ju nën uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin, jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve po jeni dhe nën sulmin e ekraneve.”, deklaroi kryeministri në takim me strukturat policore.
Më tej kryeministri deklaroi se ata qe protestojnë janë të rinj që kanë nevojë për psikologë dhe që vijnë nga periferia për të shkatërruar qendrën. Rama i quajti ‘brejtës gjaku dhe jete’ te familjeve shqiptare qe jetojne me pune te ndershme.
“Kjo është absolutisht rrëqethëse, pasi siç e tha ministri, kjo po ndodh në Francë, kjo po ndodh në Itali, kjo po ndodh në Portugali, kjo po ndodh në Belgjikë, kjo paralajmërohet se do të ndodhë kudo, por në asnjë nga këto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e protestuesve; nuk ka dalë të brohorasë flakët mbi institucionet; nuk ka dalë të himnizojë dhunën, hurin,drurin, gurin e një mase kapuçionësh të zinj të maskuar, pas të cilëve nuk ka studentë; pas të cilëve nuk ka të reja dhe të rinj që duan një Shqipëri më të mirë, por ka vetëm qënie të verbëra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë e as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë (gurin). Adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida dhe me saçme që godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin dhe pastaj iu turren dyaneve si brumbuj që brejnë jetën, brejnë djersën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane. Si mund të përkrahet, si mund të himnizohet, si mund të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikologë, e cila ka nevojë për t’u trajtuar nga shoqëria, si një masë njerëzore vajzash dhe djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohe kur shohim ne ekranin e telefonit, sesi disa të tjerë e disa të tjera që jetojnë me online-in dhe bëjnë nga dhjetëra, mijëra euro pa paguar asnjë taksë, mund të hanë e të pinë e të vishen e të jëtojnë në luks. Dhe ata pastaj përdoren nga këto forca të tjera, nga ANTIFA e nga shërbime të huaja e nga armiq të Shqipërisë, dashakëqinj të Shqipërisë.“, tha Rama.