E Diel, 1 Nëntor 2026

“Brez pas Brezi”, koncerti që riktheu në skenën e Teatrit të Operas shkëlqimin e “Gjerdanit të Artë”

TIRANË, 16 maj/ ATSH/ Koncerti “Brez pas Brezi” rikthu në skenën e TKOB-së kujtesën, emocionin dhe trashëgiminë artistike të Ansamblit Kombëtar në një mbrëmje ku bëri bashkë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Artistë që kanë lënë gjurmë ndër vite u rikthyen për të ndarë skenën me brezat e rinj, në një dialog të gjallë mes traditës dhe vazhdimësisë.

Kënga, vallja dhe muzika popullore bëhen ura që lidhin kohët, kujtimet dhe shpirtin e artit shqiptar.

Përpara fillimit të premierës së shfaqjes “Brez pas Brezi”, me praninë e  zv.ministres, Lira Pipa, drejtorit të Përgjithshëm të TKOBAP-së, Aulon Naçi dhe drejtorit artistik të Ansamblit Popullor, Sokol Marsi, u vlerësuan me mirënjohje artistët e “Gjerdanit të Artë” të Ansamblit Kombëtar, ata emra që për dekada me radhë i dhanë shpirt skenës shqiptare dhe e ngritën folklorin tonë në piedestalet më të larta të artit.

Ata nuk sollën vetëm këngë e valle, por ruajtën kujtesën, traditën dhe identitetin e një kombi të tërë, duke ia përcjellë brez pas brezi me dashuri, përkushtim dhe dinjitet.

Gjatë kësaj ceremonie të veçantë u inaugurua edhe emërtimi i sallës së valleve me emrin e të madhit Panajot Kanaçi, mjeshtrit që i dha një frymë të re koreografisë shqiptare dhe e ktheu vallen tonë popullore në një gjuhë emocionesh që vazhdon të jetojë në skenë edhe sot.

Ky koncert është një festë e identitetit tonë kulturor, ku “Gjerdani i Artë” shkëlqen sërish në skenën e TKOBAP-së, si simbol i një trashëgimie që vazhdon të jetojë brez pas brezi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›