Brigada 63 e Serbisë u stërvit pranë kufirit, kërkohet reagim ndërkombëtar

PRISHTINË, 18 mars /ATSH/ Stërvitjet e sotme të Serbisë, të cilat u panë nga banorët në Kacarevë të Kosovës, u realizuan vetëm 300 metra larg vijës kufitare.
KosovaPress mëson se stërvitjet e kërcimit me parashutë nga helikopteri janë realizuar në fshatin Muhovc të Serbisë. Sipas burimeve të Agjencisë, ato u kryen nga Brigada 63 e parashutistëve të Serbisë.
“Kjo njësi është e stacionuar në Nish, në aeroportin ‘Narednik-pilot Mihajlo Petrovic’”, bëjnë të ditur të njëjtat burime.
Sot gjatë ditës është raportuar për stërvitjet e pazakonta të cilat kanë shqetësuar banorët e fshatit Kacarevë.
Stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, kanë nxitur edhe reagimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Ai ka apeluar organet e sigurisë vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës në afërsi të Komunës tonë, janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët tanë. Prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve. Si Kryetar i Komunës së Gjilanit, shpreh shqetësimin tim të thellë për këto zhvillime dhe kërkoj nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Qytetarët tanë meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, jo frikë dhe presion. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve tanë dhe të angazhohemi fuqishëm për mbrojtjen e interesit të tyre”, ka shkruar ai në Facebook.
/KosovaPress/