E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania e Madhe: Mbështesim përpjekjet e SHBA-së për zgjidhje diplomatike me Iranin

Britania e Madhe ka shprehur mbështetjen e saj për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të arritur një zgjidhje diplomatike në çështjen e Iranit, ndërkohë që mirëpret masat e reja për rritjen e presionit ekonomik, përfshirë sanksionet e zgjeruara të shpallura të hënën.

Kancelari i Thesarit (Ministri i Financave) britanik, John Healey, bëri një deklaratë zyrtare më 25 gusht 2026, ku theksoi se qeveria britanike “mbështet punën e SHBA-së për të siguruar një zgjidhje diplomatike” dhe “mirëpret përpjekjet për të rritur presionin, përfshirë Operacionin Economic Outcast”.

Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të qeverisë britanike, Healey theksoi se “që nga marrja e detyrës, Qeveria ka vendosur mbi 240 sanksione ndaj Iranit, veprimet e të cilit kërcënojnë popullin dhe sigurinë tonë, dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku me SHBA-në dhe partnerë të tjerë për të ushtruar presion ekonomik ndaj Iranit. Jemi të vendosur të parandalojmë që regjimi iranian të shfrytëzojë ekonominë globale dhe të abuzojë me sistemin financiar të Mbretërisë së Bashkuar për të avancuar programin e tij bërthamor dhe aktivitetet e tjera destabilizuese.

Mbështetim punën e SHBA-së për të siguruar një zgjidhje diplomatike dhe mirëpresim përpjekjet për të rritur presionin, përfshirë përmes Operacionit Economic Outcast.

Do të vazhdojmë të punojmë me partnerët për të mbrojtur interesat tona, të ndërmarrim hapat e nevojshëm për rihapjen e Ngushticës dhe për të kundërshtuar aktivitetin e rrezikshëm të Iranit. I bëjmë thirrje Iranit që të ndalojë aktivitetin e tij destabilizues në të gjithë rajonin, përfshirë në Ngushticën e Hormuzit, dhe të angazhohet në bisedime diplomatike me mirëbesim.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›