Britania e Madhe deporton klerikun radikal

Kleriku radikal Abu Katada do të deportohet nga Britania e Madhe drejt Jordanisë pasi Londra ka marrë garanci se provat materiale të marra përmes torturës nuk do të përdoren në një proces gjyqësor për terrorizimin.
Kështu ka njoftuar në parlamentin britanik ministrja e brendshme Teresa May e cila ka theksuar se gjykatat britanike e kanë shpallur atë “njeri të rrezikshëm” për sigurinë kombëtare. Qeveria britanike thotë se ndërkohë ka marrë garancitë e duhura për të siguruar që deportimi i tij në Jordani është i ligjshëm.
Edhe pse fillimisht u tha se ai mund të largohej për në Jordani rreth datës 30 prill, ministrja e brendshme ka paralajmëruar se apelimet, që tashmë kanë filluar, mund të zgjasin disa muaj. Gjykatësit e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e kanë bllokuar deportimin e tij për në Jordani pa pasur garanci ligjore.
Abu Katada i njohur si Omar Othman ishte dënuar në mungesë në Jordani për përfshirjen e tij në sulme terroriste në vitin 1998 dhe ka lëshuar shumë mesazhe urrejtjeje në videot e gjetura në shtëpinë e njërit prej terroristëve të sulmeve të 11 shtatorit.