Britania e Madhe i kërkon KQZ të respektojë procedurat ligjore në lidhje me Listën Serbe

PRISHTINË, 24 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar ndaj mos certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Hargreaves ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të respektojë procedurat ligjore në këtë rast.
Po ashtu ai ka bërë thirrje që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe në bazë të procedurave të duhura ligjore dhe jo interesave politike.
“I lutem Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës që të sigurojë që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe në bazë të procedurave të duhura ligjore dhe jo interesave politike. Presim që KQZ dhe të gjithë anëtarët e saj të vlerësojnë certifikimin e Listës Serbe sipas aplikimit gjithëpërfshirës, transparent dhe të fuqishëm të rregulloreve përkatëse”, ka shkruar Hargreaves në rrjetin social Facebook.
Për moscertifikimin e Listës Serbe kanë shprehur shqetësime dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE.
/KosovaPress/