Britania, flotë automjetesh pas marrëveshjes për të burgosurit/ Manja: Reforma mbyll 10 burgje!

25 furgonë transporti dhe 15 makina elektrike i janë dhënë Shqipërisë nga qeveria e Britanisë së Madhe, me një kosto prej 1.5 milionë paund, si pjesë e marrëveshjes për kthimin e të burgosurve shqiptarë.
Sipas saj, 200 të burgosur shqiptarë në Angli dhe Uells do të dërgohen në Shqipëri për pjesën tjetër të dënimit.
Gjatë prezantimit, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se 10 burgje do të mbyllen si pasojë e reformimit të institucioneve të vuajtjes së dënimit, ndërsa disa prej tyre do kthehen dhe si vende të memories.
“Vitin e fundit realizuam me sukses një proces tërësor optimizimi të infrastrukturës sonë fizike duke mbyllur 4 burgje. Në masterplanin tonë 2023-2030 kemi vendosur objektiva të qartë për ndërtimin e institucioneve të reja, me kapacitet shumë më të madh se ato ekzistuese, duke reduktuar kështu ndjeshëm kostot dhe duke përmirësuar kushtet e vuajtjes së dënimit për personat e dënuar, ku vëmendje e posaçme do t’i dedikohet institucionit të grave.
Në kuadër të këtyre planeve për riorganizim, do të mbyllim 10 burgje. Disa prej tyre, si burgu i Burrelit dhe i Tepelenës, do të vlerësohen për t’u shndërruar në vende memorie. Mandela thonte se “Nuk e njeh vërtetë një komb, nëse nuk i ke parë burgjet e tij”. Ndaj, është detyra jonë që të përçojmë ndër breza atë pjesëz të errët të historisë së Shqipërisë, që nuk mund të mbetet kurrë në harresë.
E meqë e kishim tek mos lënia në harresë, dëshiroj sot të them se përpos investimeve në infrastrukturë fizike, digjitale dhe transportit, në fakt aseti jonë i vërtetë janë 4524 punonjësit e policisë së burgjeve. Ndaj dhe investimi ynë kryesor është tek kapitali jonë njerëzor në sistemin penitenciar“, tha Manja.