E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania kërcënon BE: Brukseli të ulë pagat e KE, ose ne dalim

Kryeministri britanik Dejvid Kameron paralajmëroi se Britania e Madhe do të vendosë veton ndaj buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së, nëse Komisioni Europian nuk i ul shpenzimet për administratën në Bruksel.
 

Në një deklaratë për mediat londineze pas përfundimit të Samitit të BE-së, kryeministri britanik tha se kërkoi nga Brukseli që tëua zvogëlojë pagat e rreth 4.000 funksionarëve në Komisionin Evropian, që tani në vit marrin nga 100.000 euro. Sipas Kameron, në kushtet e tanishme të krizës ekonomike dhe stagnimit në mbarë BE-në, është koha që BE-ja seriozisht të merret me “shpenzimin e madh në Komisionin Europian dhe me shpërndarjen e parave”.
 

Kryeministri britanik tha se kërkon nga KE-ja masa të ashpra për kursim dhe për uljen e shpenzimeve për 16 për qind të administratës së Brukselit e cila “merr pagë të madhe për punën e saj”.
 

Reagimi i Kameronit vjen pas propozim-buxhetit të BE-së për shtatë vitet e ardhshme për të cilin Komisioni Evropian kërkon rritje. Kjo do të thotë se vetëm Britania e Madhe në arkën e përbashkët evropiane do të duhet të paguajë 12 miliardë euro shtesë.
 

Ndërkaq diskutimet e BE-së mbi hapat e tjerë për integrimin janë të gjata dhe vendimet do të merren në mes të dhjetorit. Mbikqyrja e përbashkët e bankave do të fillojë në fund të 2013. Shefi i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, i cili do të ngarkohet me kontrollin mbi bankat, pati thënë javën e kaluar se kontrolli mbi bankat mund të ngrihet gjatë vitit 2013, dhe pas një viti të futet tërësisht në punë.
 

Si kompromis midis qendrimit francez dhe gjerman është duke u arritur për qartësimin e kuadrit ligjor për kontrollin mbi bankat. Vendimi kur duhet të fillojë të punojë vërtet nuk është arritur ende. Në vitin 2014 do të vendosen nën mbikqyrje e përbashkët 6000 banka të Bashkimit Evropian, thuhet nga delegacioni francez.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›