Post takimi Thaçi-Daçiç, LDK dhe AAK në Prishtinë heshtin

Zyrtarët e dy partive të tjera opozitare kanë heshtur pas takimit që ka zhvilluar shefi i Qeverisë Hashim Thaçi me homologun e tij serb Ivica Dacic. Zyrtarët e dy partive politikë të kontaktuar nga mediat kosovare, nuk kanë preferuar të komentojnë takimin e parë të liderëve të dy shteteve.
Ndërkohë, Partia e Isa Mustafës dhe ajo e Ramush Haradinajt e kanë përkrahur idenë e PDK-së për votimin e rezolutës, e cila i hapi rrugë takimeve të zyrtarëve të Kosovës me ata të Serbisë. Po kështu vendet e Quint`it e kanë përshëndetur takimin Thaçi-Daçiç.
Ambasadat e vendeve të Quint`it në Kosovë e kanë vlerësuar këtë takim si të dobishëm për nismën e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ambasadat e Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovë, e mirëpritën takimin mes Kryeministrit të Kosovës dhe Kryeministrit të Serbisë,nën kryesimin e baroneshës Ashton.
Megjithatë Takimi Daçiç-Thaçi në Bruksel ka hasur në reagime të ndryshme të qarqeve politike e analiste të Beogradit. Çedomri Jovanoviç, kryetar i Partisë Liberal Demokratike (LDP) e vlerëson këtë takim si ngjarje pozitive nëse qetësohet traumatizimi shumëvjeçar i opinionit dhe marrja me elementet periferike të negociatave të ardhshme”.
Ai ka thënë se “serbëve dhe shqiptarëve, Serbisë dhe Kosovës i nevojiten paqe e qëndrueshme, kurse njerëzve politika e cila do të sigurojë që më në fund një gjeneratë të jetojë jetën pa luftë e konflikte”.
Funksionari i lartë i Partisë Socialiste (SPS) në pushtet, Branko Ruzhiç thotë se kryeministri Daçiç ka marrë përgjegjësi të plotë, ka treguar seriozitetin e shtetit, kur është fjala për zgjidhjen e problemit të Kosovës, dhe gatishmërinë për t`i nisur bisedimet. Partia Demokratike e Serbisë (DSS) e Vojisllav Koshtunicës është pakënaqur që kryeministri Daçiç është takuar me kryeministrin e Kosovës.