E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania në kapërthim të borës dhe akullit

Dimri më i ashpër gjatë dekadave të fundit në Britani ka provokuar sot një kaos të vërtetë për udhëtarët, me aeroportet dhe rrugët të mbuluara me borë dhe akull.

Me miliona njerëz në Londër dhe juglindje të Anglisë përjetuan dje reshje të fuqishme të borës, pasi që stuhitë u përhapën gjatë natës nga Skocia dhe pjesët veriore të Anglisë, ku ka disa ditë që po shkaktojnë probleme të mëdha.

“Moti i ftohtë, të cilët po e përjetojmë tani, filloi nga mesi i dhjetorit dhe është periudha më e gjatë e motit të acartë, e cila është shënuar në Britani që nga viti 1981”, theksuan meteorologët nga agjencia Met Office.

Kjo agjenci theksoi se moti i ftohtë pritet të vazhdojë edhe gjatë javëve në vijim, me reshje të herëpashershme të borës.

Këto kushte kanë shtuar brengën e zyrtarëve në lidhje me atë se a do të jetë në gjendje infrastruktura e Britanisë që ta përballojë këtë mot.

Fabrika më e madhe e kripës në Britani ka tërhequr vërejtjen se nuk po është në gjendje të përmbushë kërkesat e të gjitha autoriteteve lokale në vend, të cilat po luftojnë që të mbajnë rrugët të hapura për trafik.

Aeroporti Gatwick në Londër është mbyllur, në momentin kur personeli po tenton të largojë borën nga pistat, e me vonesa dhe anulim të fluturimeve po përballen edhe aeroportet në Luton, Birmingham dhe Southampton.

Në ndërkohë, qeveria ka kërkuar edhe ndihmën e ushtrisë, për të ndihmuar ngasësit e rreth 1 mijë automjeteve, të cilët kishin mbetur të ngujuar gjatë natës në një rrugë në Hampshire.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›