E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania përgatitet "të shtrëngojë fort rripin"

Ai do të njoftojë planet për reduktimin e deficitit në financat publike, një hap ky që është ndërmarrë nga një numër qeverish evropiane.

Recesioni i ka shkaktuar një dëm të madh financave të qeverive në mbarë botën e zhvilluar. Kostoja e paketave shpëtuese dhe shpenzimet nga ana e qeverive për të stimuluar rimëkëmbjen ekonomike i kanë shtyrë ato drejt tejkalimit të mundësive financiare. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, faktori kryesor ka qenë rënia e aktivitetit ekonomik që i ka prekur thellë të ardhurat nga taksat.

Në Britani deficiti këtë vit, sipas parashikimeve të FMN-së, përbën një pjesë më të madhe të të ardhurave në shkallë kombëtare, sesa në çdo vend tjetër të zhvilluar përveç Irlandës.

Deklaratat e Osborne

Britania do të "shkojë drejt rrënimit" nëse nuk ndërhyhet në buxhet ditën e martë për të ulur deficitin, i ka thënë BBC-së, Sekretari përgjegjës për financat, kancelari George Osborne. Zoti Osborne tha se koalicioni kishte trashëguar "një situatë me të vërtetë të tmerrshme financiare" dhe ai do të prezantonte një plan katërvjeçar për ta zgjidhur atë.

Masat e ashpra janë "të pashmangshme", tha ai duke shtuar se qëllimi ishte të siguronte prosperitet për të gjithë.
Kancelari Osborne njoftoi gjithashtu se ish ministri i qeverisë laburiste John Hutton do të drejtonte komisionin për pensionet në sektorin publik.

"Ne jemi vendi në Evropë me ekonomi të madhe që ka edhe deficitin më të lartë buxhetor, në një kohë kur tregjet, investitorët dhe bizneset janë duke parë vendet e botës që nuk kontrollojnë dot borxhet e tyre." "Pra ne na duhet ta zgjidhim këtë situatë, është e pashmangshme." "Unë jam i vendosur që teksa masat të jenë të ashpra ato të jenë të drejta." "Si vend ne ndërmarrin hapat e nevojshme për të siguruar prosperitet për të ardhmen", tha zoti Osborne.

Masat e nevojshme

Kancelari britanik tha se këto masa shtrënguese do t'i preknin të gjithë. "Të gjitha sektorët e shoqërisë do të duhet të kontribuojnë. Ne duhet të merremi me koston e sektorit publik, por duhet të merremi edhe me çështjen e kontributit të ndershëm nga ana e bankave". Kancelari nuk pranoi të jepte më shumë hollësi lidhur me buxhetin e ardhshëm, megjithatë BBC ka mësuar se ky buxhet do të përfshijë edhe premtimin elektoral të konservatorëve për të ulur taksën e sigurimeve shoqërore për bizneset e reja.

"Unë jam i përgatitur për të dhënë mesazhe të vështira për komunitetin e shërbimeve financiare për të kuptuar që ne duam një sistem shërbimesh financiare shumë konkurrues dhe shumë të suksesshëm, por jo një komunitet të cilin na duhet ta shpëtojmë me fondet e taskapaguesve." "Nëse nuk veprojmë për ta përballuar këtë gjendje kam frikë se do ta shohim vendin të shkojë në rrugën e rrënimit." "Do të kemi interesa më të larta bankare, bizneset do të falimentojnë, papunësia do të rritet dhe standardi ynë do të bjerë dhe unë nuk jam i përgatitur ta durojë këtë", tha kancelari.

Teksa janë shtuar spekulimet lidhur me shkallën e uljes së shpenzimeve, një prej kandidatëve për lider të Partisë Laburiste në opozitë, ish ministri Ed Balls paralajmëroi se qeveria ishte duke shkuar drejt "përsëritjes së gabimeve të bëra në vitet 1930". Ndërkaq parashikuesi me influencë i ekonomisë Ernst&Young Item Club, ka thënë se ulja e shpenzimeve dhe rritja e taksave janë të nevojshme për të zhdukur atë pjesë të defiçitit që nuk do të shkrihej me rimëkëmbjen ekonomike. Kryeministri David Kameron theksoi javën e kaluar se buxheti i javës së ardhshme nuk kishte qëllime kundër punonjësve të sektorit publik./bbc/start/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›