E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania shtrëngon rripin, redukton shpenzimet

Shtohet taksa e vlerës së shtuar. Masat më të rrepta, në dhjetëra vjet

Shefi i Thesarit britanik ka paraqitur dje në Parlament edhe reduktimin më të madh në dhjetëvjeçarët e fundit të shpenzimeve buxhetore, që përfshin një rritje të ndjeshme të taksave dhe një taksë të re mbi bankat. Këtë plan të ri, Xhorxh Osborn e ka bërë në një seancë të posaçme emergjence, me synimin e rimëkëmbjes së financave të dëmtuara të Britanisë.

Osborn tha para deputetëve se paketa e paraqitur prej tij, që përfshin dhe ulje të shpenzimeve për çështjen e mbështetjes sociale, ishte e nevojshme për uljen e borxhit kombëtar që u akumulua në masë të madhe gjatë krizës të fundit financiare.

Ai tha se në Britani do të ndihet shtrëngimi, duke filluar që nga tregtarët që do të paguajnë taksa më të larta, të pasurit që do të paguajnë më shumë për fitimet e tyre, bankat që do të kenë një taksë më shumë për të paguar e madje edhe Mbretëresha që do të ketë një ngrirje të mbështetjes financiare nga paratë e taksapaguesve. “Me këtë situatë të buxhetit ne na u desh që të shtonim taksat dhe kjo bëhet për të paguar faturat e veprimeve të së shkuarës”, ka deklaruar shefi i financave. Një nga pikat më të diskutueshme të paketës së re është ajo e rritjes së TVSH-së nga 17.55% që është aktualisht, në 20%. Për Osborn, paketa e tij ishte e ashpër, por e drejtë. Ndërkohë, nuk do të ketë taksë shtesë për sa i përket alkoolit, duhanit dhe naftës.

Përfitimet për fëmijët “do të ngrijnë” për tre vjet, po ashtu dhe pagat e sektorit publik dhe do të ketë një reduktim prej 25% nga departamenti qeveritar i buxhetit. Për laburistët që tashmë janë në opozitë, ky buxhet i ri është “i pamëshirshëm” dhe do t’i “nxirrte njerëzit në rrugë”, Por Osborn fajësoi për këtë situatë pikërisht laburistët që e kishin çuar buxhetin në ditë të hallit gjatë 3 mandateve të tyre në pushtet. “Janë vitet e borxheve të mëdha që kanë shkaktuar një situatë të tillë”, ka deklaruar Osborn. Por ndërkohë ai premtoi që të sillte një balancë dhe normalitet në financat britanike brenda 5 viteve të ardhshme, më shpejt nga sa kishin planifikuar laburistët dhe se për të parandaluar kolapsin, që do të kishte qenë katastrofik, masat e marra ishin më se të nevojshme. “Të gjithë do të paguajnë diçka, por njerëzit me të ardhura më të ulëta do të paguajnë proporcionalisht më pak se ata me të ardhura më të larta. Ky mund të quhet një buxhet progresiv”, ka deklaruar Osborn. Paketa do të përfshijë edhe reduktime të përfitimeve financiare, si ato të barrëlindjes, ndërsa për sa i përket shumës së parave për lindjen e fëmijëve, ajo do të jepet vetëm në rastin e lindjes së fëmijës së parë të një çifti. Ndërsa prindërit e vetëm duhet që të shohin për një vend pune kur fëmija i tyre të mbushë moshën e shkollës. Për sa i përket taksës për bankat, ajo do të hyjë në fuqi në vitin 2011 dhe kjo do të aplikohet në bilancet e bankave, shoqërive të ndërtimit dhe operacioneve britanike të bankave të huaja. Kjo ndërmarrje pritet që të sjellë në buxhetin britanik 2 miliardë paund brenda 5 viteve të ardhshme.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›