Pasaniket e botës
Ndonjëherë është e vështirë vetëm t’i imagjinosh. Pasuritë e disa prej grave të suksesshme në botë arrijnë në shifra të paimagjinueshme, duke i bërë ato të klasifikohen në listën e personaliteteve më të pasura të planetit. Mjaft prej tyre janë të famshme dhe kanë në bankë një shumë të caktuar parash. Kjo është edhe arsyeja që i bën ato të mos i kenë zili meshkujt më të pasur dhe më me influencë të botës. Zakonisht nga revistat e ndryshme jemi mësuar të lexojmë klasifikimet e meshkujve më të pasur të botës. Por ç’ndodh me seksin tjetër? Jeni të interesuar të dini klasifikimin e femrave më të pasura të botës sipas revistës “Forbes”? Në krye qëndron kinezja Wu Yajun me 3.9 miliardë dollarë. Më pas vjen Giuliana Benetton, shkrimtarja J.K. Rowling e “Harry Potter” me 1 miliard dollarë, si edhe shumë pasanike të tjera.
Vetëm 14 gra në botë kanë një pasuri prej 1 miliard dollarësh. Pyetja që shtron revista “Forbes” është se përse femrat përfaqësojnë vetëm 2 për qind të 1011 miliarderëve të revistës amerikane. Klasifikimi i “Forbes” është fokusuar kryesisht te “self made women”, gratë që tashmë kanë vënë mënjanë një farë kapitali. Në klasifikimin e përgjithshëm të 1011 miliarderëve, përfshihen Carlos Slim Helú, Bill Gates dhe Warren Buffett.
Mes 14 femrave më të pasura të planetit gjysma janë kineze. Në krye të listës (me 3.9 miliardë dollarë) qëndron Wu Yajun, shefja ekzekutive e “Longfor Properties”, shoqërisë imobiliare më të shquar në Hong-Kong. E dyta në klasifikim është Rosalia Mera (me 3.5 miliardë dollarë), spanjolle, themeluese e “Inditex” (një nga industritë më të mëdha të veshjeve). E treta është pozicionuar rusja Elena Baturina (me 2.9 miliardë dollarë), bashkëshortja e kryebashkiakut të Moskës, Yuri Luzhkov. Elena është një biznesmene e rëndësishme në Rusi. Amerikania e parë e pozicionuar në vendin e katërt është Doris Fischer, themeluesja e “Gap”. Në vendin e pestë qëndron një tjetër kineze, Xiu Li Hawken, ndërsa në të gjashtin moderatorja dhe producentja Oprah Winfrey, me 2.4 miliardë dollarë.
Në vendin e shtatë qëndron italiania Giuliana Benetton, themeluesja e firmës së famshme “Benetton”, së bashku me tre vëllezërit Gilberto, Luciano dhe Carlo, pasuria e së cilës arrin në 2.1 miliardë dollarë. Në vendin e tetë, në të nëntin dhe të dhjetin, vijnë sërish tri kineze: Chu Lam Yiu, manjatja e duhanit, Zhang Xin, sipërmarrëse imobiliare dhe Yan Cheung, mbretëresha e shtypit periodik kinez, e cila filloi ta ndërtonte perandorinë e saj në vitin 1985, duke importuar letrën e gazetave në Hong-Kong.
Në vendin e njëmbëdhjetë qëndron Meg Whitman, ish-numri një i “eBay” dhe kandidatja e parë republikane femër në rolin e guvernatores së Kalifornisë. Në vendin e dymbëdhjetë pozicionohet sërish një tjetër kineze, Chan Laiwa, investitore imobiliare, e ndjekur nga Lei Jufang dhe shkrimtarja J.K. Rowling, “mamaja” e Harry Potter-it. Mes 14 grave më të pasura të planetit ka edhe nga ato që e kanë zhvilluar aktivitetin e tyre privat përkrah bashkëshortëve ose vëllezërve: Giuliana Benetton, 72 vjeçe, fillimisht punonte me të vëllain Luciano. Po ashtu edhe Rosalia Mera, 66 vjeçe, e ndihmonte bashkëshortin Amancio Ortega që veshjet të prodhoheshin në shtëpinë e tyre. Tani janë ndarë, por Rosalisë i ka mbetur një pjesë e ndërmarrjes “Inditex”, kolosi i veshjeve që mban emrin “Zara”. Doris Fisher, 79 vjeçe, dhe burri i saj i fundit Donald, krijuan kompaninë “Gap” në vitin 1969.
Disa gra të tjera e kanë krijuar gjithçka vetë, të ndihmuara pjesërisht edhe nga fati. I tillë është rasti i moderatores Oprah Winfrey, 56 vjeçe, dhe shkrimtares J.K. Rowling, 44 vjeçe: të dyja kanë arritur t’ia dalin mbanë vetë për të qenë pjesë e botës së spektaklit dhe medias. Gjithashtu për të dyja ky është një vit i madh: xhirimet e serisë së fundit të “Harry Potter”-it kanë filluar më 18 qershor në studiot e “Universal Picture”, ndërkohë që filmi “Harry Potter dhe shenjtërit e vdekjes” (pjesa e parë) do të shfaqet në nëntor. Ndërsa Oprah aktualisht po shijon momentet e fundit si “mbretëreshë e ditës”, sepse shfaqja e saj sapo është aprovuar në kanalin femëror “La7”.
Secila prej këtyre 14 grave miliardere ka një histori personale të shkëlqyer. Por pse janë kaq pak në numër? Rreth arsyeve të pakicës miliardere femërore ekspertët e revistës “Forbes” kanë bërë të ditur se, përveç numrit të vogël të femrave të pranishme zakonisht në botën e biznesit dhe të menaxhimit ekziston një hendek i madh edhe në miratimin e kredive. Këtu përmendim edhe një studim të fondacionit “Kaufmann Foundation”, sipas të cilit shoqëritë e drejtuara nga gratë kanë një kapital nga 30 deri në 50 për qind më të ulët krahasuar me ato të udhëhequra nga meshkujt. Veç kësaj ekziston edhe një arsye “sentimentale”: femrat kanë një impakt tjetër me botën e punës dhe objektivat e tyre nuk lidhen gjithmonë me fitimin e miliardave. Me fjalë të tjera, qëllimi i tyre i vetëm nuk është vetëm të bëhen miliardere.
#