E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel, Fule paraqet raportin për Serbinë

BRUKSEL - Komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Stefan Fule do të dorëzojë sot një raport në Parlamentin Evropian për progresin e Serbisë në integrimin evropian, ndërkohë që ky i fundit do të diskutojë nesër një projektrezolutë për Serbinë.

Raporti do të merret me reformat e brendshme në Serbi, me bashkëpunimin rajonal, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar këto gjashtë muajt e fundit.

Raporti do të paraqitet nga Fule para Kolegjiumit të Komisionit Europian këtë pasdite, sipas njoftimeve nga Brukseli.

''Raporti do të përfshijë një vështrim të shkurtër rreth zhvillimit të dialogut Prishtinë-Beograd, që përfundoi pa marrëveshje rreth shkallës së autonomisë së komunitetit serb në komunat e Kosovës Veriore, ditët e para të këtij muaji'', njoftoi agjencia serbe e lajmeve, TANJUG.

Anëtarët e Parlamentit Europian do të diskutojnë nesër projektrezolutën për Serbinë, të përgatitur nga reporteri i Parlamentit Europian për vendin ballkanik, Jelko Kaçin.

Projektrezoluta e Kaçinit, në të cilën Këshilli Evropian nxitet, sapo të krijohen kushtet e përshtatshme, për të caktuar një datë për fillimin e bisedimeve për pranimin e Serbisë në BE, tashmë është pranuar nga Komitieti i Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme dhe do të kalojë pa bërë në të ndryshime të mëdha.

Të dyja këto raporte do të jenë uvertura për datën 22 prill, kur përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian e Punëve të Jashtme dhe Politikat e Sigurimit, Catherine Ashton, do të informojë në detaje ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian rreth dialogut Prishtinë-Beograd.

Më pas, ministrat e Bashkimit Europian do të vendosin nëse Serbia i ka përmbushur kërkesat për të fituar një datë për fillimin e bisedimeve për pranimin në BE.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›