Bruksel/ Një ditë pas hapjes së negociatave, Spiropali në darkën e Kallas: Rajoni, potencial dhe jo barrë për BE-në

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po merr pjesë në darkën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, të thirrur nga Kryediplomatja Evropiane dhe Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Kjo pjesëmarrje vjen një ditë pas lajmit të rëndësishëm të hapjes së negociatave, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të diskutimeve për të ardhmen e rajonit.
Darka, e fokusuar në çështjet me interes të përbashkët për Ballkanin Perëndimor dhe Unionin, shërben si një platformë për të avancuar integrimin e rajonit në bllokun europian.
Spiropali: Rajoni, vlerë dhe horizont mundësish
Në postimin e saj nga Brukseli, ku u prit nga Kryediplomatja Kallas dhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, Ministrja Spiropali theksoi vizionin e Shqipërisë për rolin e rajonit.
“E ardhmja e përbashkët ku rajoni nuk do të jetë barrë, por vlerë, potencial e horizont mundësish për vetë Unionin,” shkroi Spiropali, duke përcjellë mesazhin se Ballkani Perëndimor duhet të shihet si një aset strategjik për BE-në.
Pjesëmarrja në këtë nivel të lartë në Bruksel konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për të çuar përpara agjendën e saj të anëtarësimit në BE.
/rtsh.al/