Brukseli mirëpret ambicien e Shqipërisë për kandidimin si anëtare me të drejta të plota
Ministri i jashtëm i Sllovenisë, Dimitri Rupel, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian ka deklaruar gjatë një interviste për një rrjet televiziv të Tiranës se Brukseli do të mirëpriste një aplikim të mundshëm të Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. “Do ta mirëprisja kandidimin, tha ministri Rupel, edhe pse teknikisht kjo duket e vështirë që të realizohet gjatë presidencës sllovene, e cila përfundon me 30 qershor”. Nëse aplikimi do të ndodhte brenda kësaj jave, ka gjasa që në samitin përmbyllës të presidencës sllovene, me 30 qershor, ministrat e jashtëm edhe të jepnin ok-ejin e tyre për kandidimin e Shqipërisë. Gjithsesi vëzhguesit theksojnë se një hap i tillë do të ndërmerret sigurisht gjatë presidencës franceze të gjashtë muajve të ardhshëm, e cila gjithashtu ka deklaruar se do ta mirëpriste ambicien e Shqipërisë për t’u shndërruar në vend kandidat. Besohet se brenda qershorit, MSA-në do ta ratifikojnë edhe katër vendet e mbetura të BE-së, duke përfunduar një kalvar diplomatik që mori shumë energji e duket se shmangu disi vëmendjen nga ambicia kryesore e Shqipërisë: shkurtimi i fazave për anëtarësimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian e në NATO. Në fakt, procesi për në NATO po ecën shumë mirë, e duket se nga një vendim politik e lobizëm i SHBA-ve, ratifikimi i dokumentit të anëtarësimit do të kryhet në një kohë rekord prej pak muajsh, në mënyrë që Shqipëria dhe Kroacia të anëtarësohen në aleancë gjatë samitit historik të 60-vjetorit të saj. Sipas procedurës, pas aplikimit për t’u shpallur vend kandidat, ministrat e jashtëm bëjnë një shqyrtim politik të standardeve të shtetit që aplikon e më pas edhe i rekomandojnë Komisionit Evropian që ta akordojë statusin. Marrja e këtij statusi do të shënonte edhe formalisht mbylljen e epokës së tranzicionit për Shqipërinë, epokë që nisi që më ’90, me shpalljen e pluralizmit, por me trashëgimin e një ekonomie të rrënuar, nga regjimi komunist, i vlerësuar si regjimi diktatorial më i egër në Evropë. Duke parë historinë e mëpërparshme me Maqedoninë, apo laksizmin e çuditshëm që po ndiqet aktualisht me Serbinë dhe Bosnjën, sa i përket procesit të heqjes së regjimit të vizave, duket thuajse e sigurtë se aplikimi gjatë vjeshtës do të shoqërohet domosdoshmërisht edhe me pranimin e kërkesës dhe shpalljen e Shqipërisë si një vend kandidat, që për disa analistë optimistë, mund të shndërrohet në anëtare me të drejta të plota në fund të 2011, por për realistët, mendohet se mund të jetë aty nga viti 2013-2014.