Bubeqi: Elbasani, jo ai i viteve të fundit, jemi favoritë
Sulmuesi me shumë përvojë i kavajasve, Dorian Bubeqi, mendon se skuadra e tij ka shumë arsye për të triumfuar edhe ndaj elbasanasve
Besa, e karikuar më shumë se kurrë në këtë kampionat pas fitores në fushën e Burrelit, pret të shtunën Elbasanin në atë që quhet kryendeshja e javës së 13-të të katëgorisë së parë, megjithëse dy skuadrat në fjalë, edhe pse vijnë nga superliga, nuk janë në pozita kryesuese. Janë pa dyshim dy skuadrat me më shumë emër dhe traditë të katëgorisë së parë, së fundi me trofe të fituar, kështu që ndeshja që do të luhet në Kavajë pritet me shumë interes.
Kavajasit duken favoritë nga fakti që luajnë në fushën e tyre dhe vijnë pas një fitoreje të thellë në transfertë, por kjo nuk do të thotë aspak se e kanë të fituar ndeshjen. Fazës së parë po i vjen fundit dhe Besa ka shanset për një mbyllje dinjitoze, pse jo me 3 fitore, pasi dy ndeshje i luan në fushën e saj, me Elbasanin dhe Ilirinë, ndërsa javën e fundit shkon në fushën e Gramshit. Në kampin kavajas besimi është në kuotat maksimale, ndaj dhe drejtuesit dhe tifozëria presin fitoren e radhës për të përfituar edhe nga ndonjë gabim i mundshëm këtë javë i rivalëve.
Bubeqi Sulmuesi veteran i Besës, Dorian Bubeqi, thotë për Sportin shqiptar se skuadra e tij ka shumë arsye për të fituar të shtunën. Ai argumenton se Elbasani nuk është ai i sezoneve të fundit dhe këtë e tregojnë rezultatet që ka arritur: Kundërshtari mendoj se nuk ka nivelin e viteve të fundit, kur ka konkurruar me dinjitet në superligë. Elbasani nuk ka asnjë fitore jashtë fushe dhe kjo flet qartë.
Besa po kalon një moment të mirë dhe për ndeshjen e radhës jemi të motivuar dyfish, sepse fitorja në Burrel nuk do të kishte asnjë vlerë, nëse nuk do të fitojmë në fushën tonë me Elbasanin. Jemi të ndërgjegjshëm se në këtë fazë të kampionatit nuk mund të lëmë pikë, sidomos në fushën tonë dhe ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë. Duhet të vazhdojmë në rrugën që kemi nisur javët e fundit, ka theksuar sulmuesi Bubeqi.
Duket se gradualisht po vjen Besa që prisnin të gjithë. Kualiteti i futbollistëve të saj, kryesisht i mesfushorëve të njohur si Poçi, Dhëmbi dhe Mihani, po bën të vetën, duke e udhëhequr skuadrën drejt kreut dhe kthimit në superligë.
