E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shupe: Me Lushnjën kapërcejmë momentin e keq

Nga Kristi Lilo

Gramozi po pëson humbje radhazi, e fundit 4-0 në Gjirokastër, por kolonjarët nuk kanë rënë në pesimizëm. Të gjithë pranojnë se Gramozi nuk po jep atë që duhet në fushë dhe reparti më i shigjetuar është sulmi. Kapiteni Hyserjon Shupe pranon se ekipi është paraqitur dobët, por mendon se kjo gjendje është kalimtare. Ai thotë se Gramozi bëri shumë gabime në Gjirokastër, sidomos pas daljes së portierit Dervishi. Me Luftëtarin nuk dhamë asgjë në fushë, luajtëm pa grintë dhe u mundëm thellë.

Goli i pësuar shumë shpejt na goditi psikologjikisht dhe më pas të gjithë dolëm nga detyrat taktike, më shumë pas dëmtimit të portierit. Megjithatë, patëm edhe raste për shënim, por nuk ditën të shënonin, ashtu siç ka ndodhur edhe në shumë ndeshje të tjera. Gramozi po e vuan shumë mungesën e një sulmuesi me përvojë, sepse nuk mjafton vetëm dëshira për të arritur një rezultat pozitiv.

Duhet qetësia, disiplina në kryerjen e detyrave dhe para së gjithash shpirt i lartë gare e karakter sportiv, sidomos kur je në disavantazh. I lejuam vetes që të binim në kurthin e kundërshtarit, që zhvilloi një lojë të kujdesshme. Gjirokastritët arritën të na shënonin plot 4 gola, por do të ndalesha te goli i dytë. Më vjen keq ta përmend, pasi portieri ynë ra në tokë i dëmtuar, madje në gjendje kome, ndërsa loja përsëri vazhdonte, kur ne të gjithë po merreshim me portierin.

Dëmtimi i tij na prishi shumë punë, sepse edhe më pas e kishim mendjen më shumë tek ai, ngaqë ishte në gjendje të rëndë. Tani është koha të punojmë me qetësi dhe të kthehemi sa më parë te rezultatet pozitive. Gramozi nuk e meriton pozicion që ka aktualisht në renditje dhe do të përpiqemi të fillojmë ngjitjen që nga ndeshja me Lushnjën në fushën tonë, ku objektivi ynë i vetëm është tripikëshi, ka thënë mes të tjerash kapiteni Shupe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›