Budva, Nishani: Respektimi i minoriteteve, paqe e stabilitet. Sistem të unifikuar energjetik rajonal
Kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani, duke i konsideruar minoritetet ura te miqesise mes vendeve ka deklaruar se respektimi i plotë i të drejtave të tyre, arrihet nga demokratizimi dhe garanton paqen dhe stabilitetin ne rajonin tone.
Gjate fjales se tij në Konferencën për shtyp pas Takimit IV Rajonal të Presidentëve në Mal të Zi, Nishani ka theksuar se bashkepunimi ne gjithe fushat eshte ne interesin e mire te vendeve.
“Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë rritjes dhe forcimit të marrëdhënieve të gjithanshme të bashkëpunimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e sidomos me vendet fqinje të saj si: Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Ne mbetemi të angazhuar për intensifikimin në vazhdimësi të dialogut politik midis vendeve tona, nëpërmjet vijueshmërisë së praktikës së takimeve dhe vizitave të nivelit të lartë, siç është dhe ky takim i sotëm”- tha Nishani.
Sipas tij, ne bashkepunimin mes 4 vendeve përparësi përbëjnë ndërtimi i një infrastrukture moderne, realizimi i projekteve të përbashkëta, krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, rritja e shkëmbimeve tregtare, intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimit e shkencës, infrastrukturës, etj.
“Në kuadër të interesit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, përparësi do të përbënte krijimi i një sistemi të unifikuar energjetik rajonal. Energjia përbën sot faktor të rëndësishëm zhvillimi, në nivel kombëtar, rajonal e global”- tha me tej ai.
Nishani ka theksuar se eshte e domosdoshme mbështetja e Kosovës në nismat dhe projektet rajonale dhe më gjerë; si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, rajon dhe më gjerë.