Strukturat paralele,Panariti:Beogradi të heqë dorë

Panariti, Rasmusen
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti ka kërkuar nga Beogradi të heqë dorë nga mbështetja dhe financimi i strukturave paralele në veri të Kosovës, si dhe i ka bërë thirrje NATO-së që të mbështesë integrimin e shpejtë të Kosovës në Aleancë. Deklarimit e ministrit shqiptar u bënë gjatë diskutimeve në ditën e parë të punimeve të Takimit të Ministrave të Jashtme të NATO-s në Bruksel.
Panariti kërkoi njohjen e progresit të Kosovës në drejtim të ndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike dhe krijimit të një shoqërie multietnike ku mbizotëron tolerancë dhe mirëkuptim i ndërsjellë. Ai përshëndeti dialogun e nivelit të lartë mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik, duke e konsideruar njëkohësisht të mbyllur njëherë e përgjithmonë çështjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Panariti vuri në dukje se Forca e Sigurisë së Kosovës është kthyer në një forcë profesioniste dhe multietnike që i shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Shqipëria, është shprehur Panariti mbështet fuqimisht integrimin e të gjitha vendeve të rajonit në NATO dhe se kjo organizatë duhet të ndjekë një politikë të dyerve të hapura me vendet e Ballkanit Perëndimor.