Bujar Nishani flet për AFP-në: Do jem plotësisht i pavarur
Agjencia franceze ngre shqetësimin se Berisha po kap drejtësinë dhe shërbimet sekrete përmes Nishanit, por ky i fundit premton: Do jem komplet i pavarur
Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka dhënë një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP, në prag të betimit si presidenti i ri i Shqipërisë.
Sistemi i drejtësisë do të jetë prioriteti im. Kam vendosur të angazhohem plotësisht në favor të reformave në sistemin e drejtësisë, që mbetet një faktor kyç për integrimin e Shqipërisë në BE, tha Nishani.
Ka shumë akuza për korrupsion, disa gjykatës dhe prokurorë janë akuzuar se nuk kanë integritet moral dhe profesional, vijoi Nishani.
AFP ngre shqetësimin se Berisha po forcon pozitat e tij në sistemin e drejtësisë dhe shërbimet sekrete përmes Bujar Nishanit, por ky i fundit bën një zotim për agjencinë: Do të jem plotësisht i pavarur nga çdo forcë politike.
Bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës është shumë i rëndësishëm për mua, premton Nishani.
Madje optimizmi i Nishanit shkon më tej, kur thotë se këtë vjeshtë Shqipëria do marrë statusin e kandidatit për në BE.