Bujqësia “2030”, Ermira Gjeçi: Fermerët shqiptarë do të përfitojnë 100% mbështetje nga skemat kombëtare deri në fund të 2025

Drejtoresha e Kabinetit të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, njoftoi se brenda vitit 2025 do të rimbursohet në vlerën 100% mbështetja për të gjithë fermerët sipas skemës kombëtare. Ajo shtoi se deri tani 66 mijë fermerë kanë aplikuar për mbështetje financiare, ndërsa për skemën e investimeve, e cila përfshin sipërmarrjen në bujqësi, investime në sera dhe mekanikë bujqësorë, janë regjistruar rreth 800 aplikime.
“Ne aktualisht me skemën e mbështetjes në bujqësi për 2025 jemi në një realizim 93% të totalit. Premtuam që deri në fund të vitit të gjithë fermerët do të paguhen duke realizuar 100% skemën e mbështetjes në bujqësi. 66 mijë fermerë kanë aplikuar për marrjen e mbështetjes financiare. Janë disa forma të mbështetjes në sektorin e bujqësisë, është dhe skema e investimeve që këtë vit shënoi një numër aplikimesh rreth 800 aplikime.
Kur flasim për skemën e investimeve e kemi fjalën për sipërmarrjen në bujqësi, investime në sera, mekanik bujqësore, etj,.
Ashtu sikurse çdo vit, edhe këtë vit ne do realizojmë disbursimin e fondeve ose përmbushjen e skemës në bujqësi në 100% të saj deri në fund të vitit”, tha Gjeçi.
Kjo e fundit theksoi se politika e bujqësisë “2030” synon zhvillimin e një bujqësie sipërmarrëse dhe konkurruese.
“Jemi në periudhën e tranzicionit dhe po punojmë për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare dhe orientimin e tyre drejt tregut rajonal dhe BE-së”, tha ajo.
Ajo shtoi se, produktet shqiptare aktualisht eksportohen në 83 tregje, dhe krahasuar me vitin 2024, eksportet për vitin 2025 shënojnë një rritje prej 9.9% në sasi.
Skemat mbështetëse për bujqësinë pritet të vazhdojnë të financojnë fermerët dhe investimet në sektor, duke kontribuar në modernizimin dhe zhvillimin e bujqësisë shqiptare.
/rtsh.al/