Bujtina “Troja” në Shupenzë e mbështetur nga AZHBR i jep jetë turizmit rural

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Bujtina “Troja” në Shupenzë të Bulqizës është një tjetër sipërmarrje e mbështetur nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), e cila po kontribuon në zhvillimin e turizmit rural dhe ekonomisë lokale.
Kryeministri Edi Rama ka promovuar përmes një postimi në rrjetet sociale bujtinën ‘Troja’ në Shupenzë të Bulqizës, duke theksuar se “kjo bujtinë i jep jetë turizmit rural dhe ekonomisë së zonës”.
“Me 12 dhoma akomodimi, mikpritje për turistët vendas e të huaj dhe produkte të freskëta nga fermerët e zonës, kjo bujtinë është një tjetër shembull se si investimet në fshat krijojnë më shumë mundësi, më shumë punësim dhe më shumë zhvillim për ekonominë lokal”, tha Rama.
Bujtina “Troja” ndërthur shërbimin e akomodimit me promovimin e produkteve vendase, duke synuar të krijojë një përvojë të lidhur me traditën, gastronominë dhe natyrën e zonës së Bulqizës.
Mbështetja e sipërmarrjeve rurale përmes skemave të zhvillimit synon të nxisë diversifikimin e ekonomisë në zonat jashtë qendrave urbane dhe të rrisë mundësitë për punësim e të ardhura për komunitetet lokale.
/k.s/r.e/