E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujtina “Xhaferri” në Skrapar, model i agroturizmit të lidhur me natyrën dhe traditën

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Agroturizmet po shndërrohen në një nga motorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik dhe turistik në vend, duke gjeneruar të ardhura, vende pune dhe duke nxitur turizmin gjatë gjithë vitit në zonat rurale.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga bujtina “Xhaferri”, e cila ndodhet në fshatin Mollas të Skraparit, duke e cilësuar “si një sipërmarrje agroturistike” që ndërthur natyrën, prodhimet vendase dhe traditën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thekson se bujtina bashkëpunon me rreth 10 familje fermere të zones dhe përmes prodhimeve të fermës së saj, bujtina sjell në tryezë produkte të freskëta vendase.

Sipas kryeministrit, bujtina është e njohur edhe për parkun me rreth 150 koshere bletësh, ajo u ofron vizitorëve një përvojë autentike me natyrën, bletarinë dhe traditat e zonës.

Kjo bujtinë tradicionale ofron 6 dhoma familjare që akomodojnë nga 3-5 persona, një restorant që shërben ushqim tradicional vendas, dhe pamje mahnitëse të kopshtit dhe maleve përreth.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›