E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 47-të për Zvërnecin në kryeqytet

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Në Tiranë ka vijuar për të 47-ën ditë radhazi protesta e qytetarëve e cila nisi kundër investimit në Zvërnec dhe më pas vijoi më kërkesën për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke shprehur kundërshtimin ndaj projektit dhe duke artikuluar edhe kërkesa të tjera që lidhen me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.

Aktivisti Edison Lika deklaroi se lëvizja qytetare nuk mund të përvetësohet apo të përfaqësohet nga individë të veçantë, duke theksuar se forca e saj buron nga pjesëmarrja e qytetarëve në shesh.

Sipas Likës, çdo përpjekje për të marrë përsipër përfaqësimin e lëvizjes është e destinuar të dështojë, pasi ajo nuk ka drejtues apo përfaqësi, por mbështetet te prania fizike e protestuesve.

Ai nënvizoi se lëvizja nuk do të hyjë në negociata me askënd, pasi kërkesat e saj janë të qarta dhe të pandryshueshme..

“Nuk kemi për të negociuar me askënd. Sepse e para e kësaj proteste dhe më e rëndësishmja është ajo që kemi treguar që prej ditës së parë: “Dorëheqje!” Kjo nuk do të thotë që ne nuk inkurajojmë çdo lëvizje, çdo qytetar apo deputet që vendos të dalë përballë Ramës. Ne inkurajojmë këdo që i del përpara këtij regjimi”, tha ai.

Sipas tij, çdo qëndrim politik duhet të jetë i qartë, i dukshëm dhe në përputhje me kërkesat e protestuesve në shesh.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj tha se protesta ka qenë një nismë qytetare dhe paqësore, e orientuar drejt ndërtimit të shtetit të së drejtës.

Vatnikaj u shpreh se qëllimi i kësaj lëvizjeje është forcimi i institucioneve dhe krijimi i një sistemi funksional, duke theksuar se qëndrueshmëria e saj bazohet te rezistenca qytetare dhe jo te gjuha e urrejtjes.

“Kjo lëvizje ka qenë fisnike, qytetare, sepse ka qenë paqësore. Ka qenë për të ndërtuar shtetin e të drejtës, duam revolucionin paqësor, duam institucionet funksionale, jemi për qëndrim të palëkundur, qëndresë që vjen prej qëndresës dhe jo gjuhës së urrejtjes”, tha ajo.

Pas fjalimeve, protestuesit marshuan në bulevard dhe rrugët kryesore të Tiranës.

Protesta e 47-të për Zvërnecin para Kryeministrisë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 27

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›