Bujtina në Nivicë, sipërmarrje familjare e kthyer në destinacion turistik

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Bujtina “Hadër Xhebro” në Nivicë, Gjirokastër, është kthyer në një nga destinacionet e preferuara turistike në zonë.
Mes maleve, gjelbërimit, ajrit të pastër dhe gatimeve tradicionale, kjo bujtinë mirëpret çdo ditë pushues vendas, por edhe ata të huaj që gjejnë të “gërshetuar” në të traditën me shijen unike.
Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo bujtinë, për të cilën Rama tha se është një sipërmarrje familjare, që prej vitit 2019 mirëpret vizitorë nga vende të ndryshme të botës, duke ofruar mikpritje tradicionale dhe një përvojë autentike shqiptare.
Rama nënvizoi se kjo bujtinë, e rrethuar nga natyra e bukur e Nivicës, u ofron vizitorëve qetësi dhe një qëndrim të këndshëm larg zhurmës së përditshme.
Agroturizmi është kthyer në një motor zhvillimi ekonomik për zona të ndryshme të vendit, ndërsa politikat nxitëse të Qeverisë janë të orientuara sipas kërkesës dhe nevojës së sipërmarrësve ruralë.
Mbështetja për agroturizmin dhe programi i “100 Fshatrave” kanë nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale.
Njëherësh, nëpërmjet programeve mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar.
/e.i/j.p/