TEL AVIV – Izraeli hedh poshtë raportimet për takim Netanyahu-Trump në SHBA

TEL AVIV, 29 prill /ATSH-DPA/- Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë raportimet se ai pritet të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, javën e ardhshme për t’u takuar me presidentin amerikan, Donald Trump.
“Nuk pritet që kryeministri Netanyahu të udhëtojë drejt SHBA-së javën e ardhshme”, thuhet në një deklaratë të publikuar sot.
Megjithatë, në njoftim theksohet se kryeministri izraelit mban kontakte të shpeshta me “mikun e tij, presidentin Trump”.
Disa media raportuan më herët, se dy liderët do të takoheshin në SHBA javën e ardhshme, në kuadër të diskutimeve për paqen mes Izraelit dhe Libanit, si dhe për koordinimin e politikave të ardhshme ndaj Iranit, raportoi gazeta “Israel Hayom”.
Presidenti Trump deklaroi javën e kaluar se do të priste në takim, në një të ardhme të afërt kryeministrin izraelit dhe presidentin libanez Joseph Aoun, pa specifikuar një datë të saktë.
Së fundmi, në Uashington janë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta në nivel ambasadorësh mes Izraelit dhe Libanit.
Izraeli këmbëngul në çarmatosjen e plotë të milicisë islamiste libaneze Hezbollah, ndërsa Libani kërkon tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga territori i tij.
Netanyahu ka vizituar SHBA-në disa herë që nga rikthimi i Trump në detyrë.
Vizita e tij më e fundit në Shtëpinë e Bardhë ishte në shkurt, pak kohë përpara se dy vendet të nisnin luftën kundër Iranit. //a.i/