Bulevardi - mençuri, guxim politik dhe dashuri për kryeqytetin

Brenda 18 muajve pritet të përfundojë ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës, vepra më e madhe infrastrukturore pas 80 vitesh në kryeqytet. Me një mençuri strategjike, kryebashkiaku Lulzim Basha i ofron kryeqytetit një korridor zhvillimi e punësimi, një nxitje të sipërmarrjes, si dhe një hapësirë të re të gjelbërimi e argëtimi. Me këtë investim, qyteti del nga këneta e perspektivës bolshevike, ku e mbajti peng prej 11 vitesh, Mr.20 përqindëshi
Nisja e punimeve për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, projektit më të rëndësishëm për kryeqytetin shqiptar sinjalizon për guximin politik të kryebashkiakut Lulzim Basha, i cili me një mençuri strategjike i ofron qytetit një korridor zhvillimi e punësimi, nxitje të sipërmarrjes, si dhe një hapësirë të re të gjelbërimit e argëtimi. I premtuar nga kryebashkiaku Basha rreth 2 vite më parë, projekti i bulevardit të ri ka nisur nga zbatimi. Në çeljen e punimeve kryebashkiaku Lulzim Basha e ka cilësuar aktin e parë të ndërtimit të bulevardit të ri si një ditë historike për të ardhmen e kryeqytetit shqiptar. “Sot jemi dëshmitarë të nisjes së transformimit më të madh të ndodhur ndonjëherë në qytet. Fillimi i punimeve të bulevardit të ri është një ditë historike, sepse kryeqyteti ynë rritet, fiton një gjymtyrë të re, sheh më mirë, thyen kufijtë dhe merr frymë më lirisht. Jam i lumtur që sot po hapim një korridor të ri zhvillimi për Tiranën, një korridor punësimi, nxitje të sipërmarrjes, si dhe një hapësirë të re të gjelbërimit, dhe argëtimit“ – u shpreh kreu i Bashkisë. Kryebashkiaku Basha e konsideroi nisjen e punimeve, si përgjigjen më të mirë ndaj atyre që nuk e besuan këtë premtim të bërë dy vjet më parë. Zoti Basha theksoi se me vepra po dëshmojmë çdo ditë se jemi në shërbim të qytetarëve dhe nuk bëjmë premtime boshe. “Kur e shpallëm bulevardin e ri si prioritet strategjik, shumëkush ishte skeptik. Nuk e kam fjalën këtu për skeptikët e mbrapshtë që janë kundër zhvillimit e suksesit, por për ata qytetarë që me të drejtë dyshonin, pasi ishin mësuar me fjalë shumë e punë pak. Dhe ja ku jemi sot, bulevardi i ri po nis, po merr jetë! Ne kemi thënë se jemi ndryshe dhe ndryshe jemi. Puna jonë flet vetë, ne nuk jemi politikanë të fjalëve shterpë e të premtimeve boshe. Ne i shërbejmë qytetarit, sepse ky është misioni ynë“ – deklaroi z. Basha. Kryebashkiaku Basha theksoi se bulevardi i ri i Tiranës do të krijojë mijëra vende të reja pune, do të sjellë risi të pangjashme në rajon nga ana arkitekturore, do t’i shtojë gjelbërimit të qytetit një kurorë të çmuar me pemë të reja. Bulevardi i ri do të nxjerrë nga varfëria këtë pjesë të Tiranës, që ka qenë e margjinalizuar. “Në besojmë tek zhvilimi i Tiranës, ne besojmë tek ëndrra evropiane e qytetarëve, ne besojmë tek projektet e mëdha dhe për këtë arsye ne i realizojmë ato“ – u shpreh z. Basha . Zoti Basha ka garantuar sot të gjithë banorët që preken nga shpronësimet, se zëri i tyre do të dëgjohet, sikundër garantoi se askush nuk do të mund ta pengojë realizimin e këtij projekti. “Sikundër sigurova dje përfaqësuesit e banorëve që preken nga shpronësimet për ndërtimin e bulevardit, i siguroj edhe sot se Bashkia e Tiranës dhe unë personalisht do të dëgjojmë një për një çdo pretendim dhe do të korrigjojmë çdo shpronësim të bërë në parametra të pamerituar, në mënyrë që çdo familjar dhe çdo banor i bulevardit të ri, të ndihet bashkëaksioner i këtij projekti madhor të qytetit tonë, sikundër i siguroj ata që përdorin dhe keqpërdorin bashkëqytetarët, për të avancuar axhendën e tyre të bllokimit se nuk do ia dalin. Ky është vullneti i qytetarëve të Tiranës, i Tiranës moderne dhe evropiane dhe ne do të ecim përpara!“ – u shpreh kryebashkiaku Basha. Kryebashkiaku Basha ka falënderuar të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre, në shndërrimin në realitet të këtij projekti, si Emirin e Kuvajtit, qeverinë e Abu Dhabit, Fondin e Zhvillimit të Abu - Dhabit e në veçanti mikun e çmuar të Shqipërisë, Princin Abdullah, Emirin e Shtetit të Katarit, qeverinë shqiptare e në veçanti kryeministrin Berisha, për mbështetjen e gjithanshme që i dha këtij projekti, studion prestigjioze ndërkombëtare Grimshaë Architects, qytetarët e Tiranës të cilët u bënë pjesë e vendimmarrjes me opinionet e tyre si dhe stafin e Bashkisë së Tiranës. “Unë gjej rastin të falënderoj miqtë tanë: Emirin e Kuvajtit, Sheikh Al Sabah dhe qeverinë e tij për financimin e konkursit ndërkombëtar dhe të projektit të përzgjedhur nga juria si dhe financimin e zhvendosjes së linjës së tensionit të lartë që kalonte përmes bulevardit “Zogu I” dhe trajektores së bulevardit të ri e cila që nga mbrëmë është shkëputur dhe e reja ka filluar punë; qeverinë e Abu Dhabit; Fondin e zhvillimit të Abu Dhabit e në veçanti mikun e çmuar të Shqipërisë, Sheikh Abdullah bin Zayed al Nayhan që bënë të mundur në kohë rekord financimin e këtij investimi historik për Tiranën; Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikh al Thani dhe autoritetet e larta të këtij vendi mik, për grantin e vënë në dispozicion; qeverinë shqiptare e në veçanti kryeministrin Berisha, për mbështetjen e gjithanshme që i dha këtij projekti; studiot prestigjioze ndërkombëtare dhe ekspertët më në zë botërorë dhe të vendit që bënë të mundur konkursin dinjitoz dhe përzgjedhjen e projektit fitues; Grimshaë Architects që brenda një kohë të shkurtër hartuan me standarde bashkëkohore projektin e bulevardit të ri dhe Lumit të Tiranës si dhe stafin e Bashkisë Tiranë për punën e palodhur; të gjithë përfaqësuesit dhe zërat e shoqërisë civile, për kontributin e tyre të gjithanshëm, në procesin e hartimit dhe miratimit të projektit si dhe mijëra qytetarë të Tiranës, që për muaj me radhë dhanë mendimet e tyre për këtë projekt madhor të Tiranës moderne dhe evropiane”, theksoi Basha. Firma që do të ndërtojë bulevardin e ri është Copri - Construction Enterprises LLW. Kostoja e ndërtimit është 26 milionë euro dhe pritet të përfundojë brenda 18 muajsh.