E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pika që derdh gotën në luftë

08-09-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Emri Siri, qysh dy vjet e gjysmë, nuk të kujton më, thjesht një vend mesdhetar të botës arabe. Siria, duke shkarë tragjikisht në një luftë civile të egër, është bërë problem botëror madhor, me qendrime mjaft të ndara.
Regjimi i Bashar Al Asad, dhe aleatët - Rusia më kryesorja, nuk dorëzohet edhe me mbi 125 000 të vrarë, 2 000 000 sirianë të larguar në Liban e 500 000 të tjerë në Turqi.
Perëndimi, në mbështetje të opozitës siriane, me SHBA kryesore, gjenden në dilemën e madhe, të godasin ushtarakisht apo të kundrojnë duke kritikuar.
Grupi i tretë i vendeve më të shumta, me arsyetime denuese, presin një miradi botërore të paarritshme, për të (mos)sulmuar ushtrakisht.
Një numër politikanësh botërorë, si dhe studiues  institutesh e publicistë, stërhollojnë në qëmtim të gjetjes së ngjashmërive, deri edhe në se, ka a s’ka syresh, midis Sirisë së sotme në luftë dhe Kosovës gjatë luftës së saj.
Kërkimi i ngjashmërive është i panevojshëm: sa më shumë zgjat arsyetimi i vetëm politik,  përballë një numëri të madh të vrarësh, një numri gjigand të shpërngulurish dhe një numri  tronditës të helmuarish, aq më e mundshme është që, sjellja analizuese për një popull në vuajtjen më të skajshme, të cilësohet si llafazanëri politike ndërkombëtare. Në këtë botë shumë të zvogëluar, me ndërvarje të papërfytyrueshme, kurrë më s’mund të ketë shtëpi të qetë pranë shtëpisë ku ndodh e keqja. Urdhri i kohës, i nxjerrë nga rasti Siri, thërret: të ndalet regjimi Bashar Al Asad, për të shpëtuar populli sirian, dhe dërgimi i kumtit të duhur regjimeve diktatoriale, që janë gati të përdorin çdo armë për mbajtjen e pushtetit. Të gjitha regjimet që shtypin popullin e vet apo e çojnë vendin në luftë civile për të mbajtur pushtetin, janë të njëjta e s’ka pse kërkohen ngjashmëritë për qëllime interpretimi. Qeverisja e çdo shteti humbet të drejtën për të mbajtur pushtetin, sapo ajo e çon vendin dhe popullin në greminë. Mijëra e mijëra të vrarë, miliona të shpërngulur, shkatërrimet e vuajtjet e pafund, shndërrohen në klithma të dhimbshme për  mbështetje e ndihmë të drejtpërdrejt.
Ajo që mund të merret për ngjashmëri, edhe pse duket e kërkuar, është pika e tepërt që derdh gotën në luftë. Pika që derdhi gotën në luftën barbare e spastruese të Kosovës nga Serbia e Millosheviçit, u bë masakra e Reçakut, më 15 janar 1999. Në atë fshat u krye një vrasje masive e tmerrshme ndaj njerëzve të paarmatosur e të pafajshëm, mes të cilëve dhe fëmijë. Pamja e përcjellë nga televizionet e planetit, të trupave të përgjakur, të përçudnuar e të hedhur kuturu, vështirë të jetë shlyer edhe pas kaq vitesh. Më 21 gusht 2013, botës iu shërbyen pamje makabre nga rrethina e Damaskut, me trupat e pajetë të mbi 1400 vetëve, mes tyre edhe 400 fëmijë, të vrarë me armë kimike.
Denoncimi i fuqishëm i masakrës së Reçakut, nga ambasadori amerikan William Wolker, ndryshoi opinionin publik dhe politik të Perëndimit. Faktet që solli finlandezja Helena Ranta, e ngarkuara e OKB-së, duke hedhur poshtë versionin e gënjeshtërt që shërbeu Serbia për masakrën, qenë argumente më shumë që NATO të ndërmerrte sulmin ushtarak të 24 marsit 1999. Denoncimi i përdorimit nga regjimi i Bashar Al Asad, i armëve kimike  kundër popullit të vet, në rrethinë të Damaskut, ashtu si masakra e Reçakut në Kosovë, pritet të vlerësohet si pika e tepërt që derdh gotën e luftë civile, për të nisur sulmi ushtarak raketor amerikan, edhe pse ai mbështetet vetëm nga Franca e Turqia. Pas takimit të G20, në Shën Petërburg të Rusisë, presidenti amerikan Barak Obama dhe presidenti rus Vladimir Puntin, mbetën të larguar po aq sa ishin, rreth goditjes ushtarake të regjimit të Sirisë. Obama i bindur për të ndëshkuar, Putin gati për ta cilësuar “agresion”, njëkohësisht me deklarimin e ndihmës për Bashar Al Asad, në përballimin e sulmit të SHBA, nëse ndodh.
Shumëçka është thënë rreth sulmit amerikan në mundësi, plot karakterizime janë bërë për regjimin e Bashar Al Asad, emisionet e lajmeve botërore tejmbushen me pasojat e luftës civile të Sirisë, qendra politike të rëndësishme vendimmarrëse flasin përditë, por askund e askush nuk sheh zgjidhje. Ajo që shokon është indiferenca praktike ndërkombëtare e gjatë dy vjet e gjysmë ndaj popullit që po vritet në luftën siriane. Kjo është aq e theksuar sa që, ndër të gjithë deklarimet që ka bërë presidenti amerikan Obama, ndoshta deklarata më e zemëruar e tij, edhe pse në vetpërmbajtje, është kjo, drejtuar botës: ”Kredibiliteti im nuk është në rrezik, në rrezik është kredibiliteti ndërkombëtar”.
Thënia e vjetër e indiferencës klasike - “larg shtëpisë sime” - i shkon fiks sjelljes botërore ndaj popullit që po vritet në Siri. Për ta mbajtur botën larg krimeve në Kosovë, Millosheviç i shërbente komunitetit ndërkombëta përcaktimin politik se, “kjo është çështje e brendshme e Jugosllavisë”. Për ta mbajtur botën larg krimeve në Siri, Bashar Al Asad e paralajmëron komunitetin ndërkobëtar se, “kjo është çështje e brendshme e Sirisë”.
Mos kërkoni ngjashmëri kur vritet masivisht e shpërngulet populli i një vendi. Diktaturat janë të njëllojta në mënyrën e sundimit. Ato dallojnë vetëm nga emrat e diktatorëve dhe vendeve ku sundojnë, duke luftuar popullin e vet.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›