Bulevardi “Epidamn” në Durrës, pedonale nga ora 18:00–23:00. Ndalohet qarkullimi deri më 31 gusht

Nga mbrëmja e sotme (1 korrik) dhe për dy muaj me radhë, bulevardi “Epidamn” në Durrës do të kthehet në pedonale.
Vendimi i bashkisë Durrës vjen për t’i dhënë prioritet këmbësorëve dhe turistëve të shumtë që lëvizin në këtë zonë gjatë mbrëmjes.
Shefi i Qarkullimit Rrugor pranë Policisë Bashkiake, Ervis Quku, tha se qarkullimi i automjeteve nuk do të lejohet nga ora 18:00 deri në 23:00, nga sot deri më 31 gusht.
“Në zbatim të planit të masave të sezonit turistik, bulevardi “Epidamn” do të kthehet në një pedonale për të gjithë turistët dhe qytetarët e Durrësit. Nga ora 18:00 deri në 23:00 do të ndalohet qarkullimi mjeteve dhe parkimi i tyre. Rrugët alternative që do të ndiqen është rruga “Karl Topia” e cila varion nga Prefektura në drejtim tek Vila e Zogut”, tha Quku.
Nga ky kufizim nuk përfitojnë as mjetet që kryejnë furnizime për subjekte të ndryshme tregtare, duke respektuar edhe tabelat e ndalim-qarkullimit në oraret e përcaktuara. Ato do të duhet të kryejnë furnizimet në orare të tjera, gjatë natës.
Sipas policisë, kjo masë ka si qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, por edhe të vizitorëve të shumtë që vijnë në Durrës për të kaluar pushimet.
/rtsh.al/