Bulevardi i ndërtuar nga Edi Rama u premtua për 70 vjet, u prish krejtësisht për 7 vjet
Thuajse shkatërrohet Bulevardi “Zogu i Parë”. Edi Rama kishte dhënë garanci 70 vjet, për një investim të bashkisë së tij prej miliona dollarësh, që shkuan për një firmë pranë disa mercenarëve politikë të tij, por nuk kanë kaluar ende as 7 vjet dhe reshtjet e shiut kanë evidentuar vjedhjen që po shkatërron bulevardin historik
Kanë mjaftuar pak minuta shi që pllakat në Bulevardin “Zogu I Parë” të dalin sërish në sipërfaqe. Në vend të tyre, thuajse çdo metër gjen gropa të mbushura me ujë dhe asfalt të prishur. Të vëna me bujë e një deklaratë historike të kreut të atëhershëm të bashkisë Edi Rama këto pllaka janë dëshmi e qartë e punës së dobët në rrugët e Tiranës.
“Jetëgjatësia e këtij sistemi rehabilitimi dhe këtyre pllakave është 70 vjet”, do të deklaronte Rama gjatë rikonstruksionit të bulevardit.
Por, realiteti është ndryshe.
Këto pllaka nuk po prekin as 7 vitet pasi rikonstruksionit, e jo më 70 vitet e deklaratës pompoze të Edi Ramës. Nisur nga cilësia e dobët e punimeve të kryera në arteriet kryesore të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës në jo pak raste ka qenë e detyruar të ndërhyjë për riparimin e tyre.
Nga problematika e evidentuar në terren është parë e menjëhershme ndërhyrja në unazë dhe në “Rrugën e Durrësit”, ndërkohë që në proces e sipër janë dhe shumë akse të tjera, investime këto të realizuara me paratë e taksapaguesve kryeqytetas. Kësisoj, sa vjen e petët e lakrorit po dalin në shesh; punime pa cilësi në gjithë arteriet e Tiranës, asfalte elektorale, pllaka jetëshkurtra, trotuare të copëtuara dhe mbi 10 akse rrugore jashtë standardeve.
Sot, njeriu i kësaj kasaphane është ideatori i programit të “Rilindjes”... Kuptohet, 11 vitet e tij në Tiranë nuk janë kurrsesi rilindje për qytetin, por varrosje. Dhe sot, Bashkia e Tiranës, është e detyruar të mbulojë gropën e keqadministrimit të Edi Ramës.