E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulevardi i ri i Tiranës, Basha: Premtim i mbajtur! Siguron banorët për shpronësimet

TIRANE- Nisi sot puna për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, një prej veprave më të mëdha të kryeqytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha në fjalën e rastit duke e cilësuar nisjen e punimeve për Bulevardin e Tiranës ‘ditë historike’, tha se ai është premtim i mbajtur. 

"Sot jemi dëshmitarë të transformimit më të madh të ndodhur ndonjëherë në Tiranë. Fillimi i punimeve është historike, pasi qyteti ynë rritet përditë. Sot jam i lumtur se hapim një korridor të ri për Tiranën, për punësim dhe gjelbërim. 2 vjet më parë e premtuan këtë projekt, sot po mbajmë premtimin”, tha Basha. 

Numri 1 i Tiranës, u shpreh se kur projekti u shpall dy vite më parë shumë ishin skeptik, pasi qytetarët ishin mësuar me fjalë shumë dhe punë pak, por tashmë sipas tij gjërat janë ndryshe.

“Kur e shpallëm si projekt shumë kush ishte skeptik, pasi ishin mësuar prej vitesh me fjalë shumë dhe punë pak dhe ja ku jemi sot. Ne e kemi thënë se jemi ndryshe dhe ja ku jemi. Ne i shërbejmë qytetarit se ky është misioni ynë. Bulevardi do krijojë mijëra vende punë dhe do sjellë risi nga ana kulturore dhe do shtojë gjelbërim”, shtoi Basha teksa falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për Emirin e Kuvajtit dhe qeverinë shqiptare për mbështetjen.

Bulevardi i ri i Tiranës, sot nis ndërtimi. Pronarët, protestë për vlerën e shpronësimit
Sot do të nisë puna për një prej veprave më të mëdha të kryeqytetit, ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. Firma që do të ndërtojë bulevardin e ri të Tiranës është "Copri Construcsion Enterprise LLW", e njëjta firmë që ndërtoi autostradën Tiranë-Elbasan dhe tunelin e Elbasanit. Zbatimi i projektit "Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës" ka një rëndësi vitale për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së kryeqytetit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies dhe të zhvillimit të vrullshëm ekonomik të Bashkisë Tiranë. 

Ndërkohë që dy ditë më parë, Qeveria miratoi vendimin për shpronësimin e pronarëve që preken nga ky projekt. Ditën e djeshme ata kanë nisur protestat për vlerën e shpronësimit, e cila sipas tyre është qesharake. Kompensimi i pronarëve që preken nga ky projekt është 263 mijë lekë për metër katror. Por banorët janë shprehur të pakënaqur dhe kanë deklaruar se do të vijojnë protestat edhe gjatë ditëve në vijim nëse nuk i jepet zgjidhje problemit të tyre, dhe të kompensohen me vlerën e tregut. 

lajmi vijon

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›