Bulevardi të njihet si trashëgimi botërore

Ambjentet brenda Hotel Dajtit
Elsa Demo
Kjo deklaratë përsëritet nga një zë kritik i arkitekturës moderne të Tiranës, prof. ark. Claudio DAmato Guerrieri. Ai është nga të parët që në mesin e viteve dymijë, pas kërkimeve e studimeve mbi arkitekturën moderne italiane në kryeqytetin shqiptar, do ta cilësonte me plot gojën unikal, aksin urban ekologjik të Bulevardit të Tiranës: Nuk ka të dytë në botë. Shpreh gjenialitetin e Bosio-s dhe duhet shpëtuar nga modernizmat.
Atë vit, më 2008, prof. DAmato hidhte idenë që strukturat e shtetit shqiptar duhej ta propozojnë aksin monumental për trashëgimi botërore të njerëzimit me qëllim që të ruhet nga UNESCO si vlerë absolute.
Katër vjet më vonë ai është edhe më i sigurt për ta përsëritur këtë kërkesë në Muzeun Historik Kombëtar, përballë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha dhe këshilltarëve të kryeministrit të vendit. Të gjithë këta ishin ftuar për të parë disa rezultate nga studimi i Arkitektura moderne italiane për qytetet e Shqipërisë. Modele dhe interpretime, hartuar nga Anna Bruna Menghini, Frida Pashako dhe Marco Stigliano (botim shqip-italisht, Dudaj, 2012). Të njëjtët autorë kanë ndërtuar ekspozitën Arkitektura moderne italiane në Tiranë, përuruar edhe ajo dje në Hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Menghini, Pashako, Stigliano, vijojnë në këtë mënyrë projektin shkencor dhe kulturor të prof. DAmato-s, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës së Barit. Projekti i prof. ark. Claudio DAmato-s bazohet në njohjen e Tiranës historike, e veprave dhe ansambleve monumentale që krijuan prej vitit 1927 e deri në vitet e pushtimit, arkitektët italianë si Armando Brasini, Florestano Di Fausto dhe Gherardio Bosio.
Kështu kurorëzohet pas gati 7 vite punë shkencore ky projekt i rëndësishëm për trashëgiminë shqiptare, realizuar nga Fakulteti i Arkitekturës së Barit dhe nga Departamenti ICAR (Inxhinieria Civile Arkitektura) të Politeknikut të Barit në bashkëpunim me institucionet politike dhe universitare shqiptare.
Janë marrë në analizë Planet Rregulluese të qyteteve shqiptare të realizuara nga arkitektë italianë dhe studimet e godinave të ndërtuara në vitet 1925-1945 në Tiranë. Është shfrytëzuar dokumentacioni pranë Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimeve në Tiranë.
Vëmendje i është kushtuar aksit monumental të kryeqytetit dhe veçanërisht tri objekteve: Teatri Kombëtar, Hotel Dajti dhe Kryeministria.
Një nga autorët e studimit dhe të ekspozitës është e reja nga Shqipëria, Frida Pashako, e diplomuar me të njëjtën temë në Fakultetin e Arkitekturës në Bari ku prej pak vitesh ka nisur të studiohet arkitektura moderne italiane në Shqipëri, bazuar në një metodologji e cila rivlerëson arkitekturën historike.
Për tre shembujt që janë marrë në analizë, Teatri Kombëtar, Hotel Dajti dhe Kryeministria, projekti në fjalë bazohet në rivlerësimin e arkitekturës ekzistuese. Për rastin e kryeministrisë, Frida thotë se projekti parashikon dhe prishjen e ndërtesave që janë bërë në vitet tetëdhjetë që e kanë mbyllur pamjen fillestare të kësaj godine. Objekti ishte krijuar nga dy C ose nga një L dhe një F që simbolizon sëpatën e liktorit dhe në vitet 80, për nevoja të ndryshme kjo është mbyllur dhe janë krijuar dy oborre duke ndryshuar komplet funksionin dhe tipin e arkitekturës. Prandaj kemi menduar ta rivlerësojmë dhe të bëjmë një arkitekturë bashkëkohore që ti japë akoma më shumë vlerë. Pashako thotë se ka qenë edhe kërkesë e vetë Kryeministrisë që të bëhet ky rivlerësim, sepse është e nevojshme një shtesë ku të spostohet Ministria e Financave dhe Protokolli i Kryeministrisë të ndjekë rregullat e tij lirshëm. Janë hedhur tri hipoteza, tri ide të ndryshme për një rizhvillim të kësaj godine.
Të rivlerësosh arkitekturën do të thotë jo vetëm të restaurosh fasadat por edhe interierët, thotë Pashako. Më 1939, arkitektët, në këtë moment po flas për Gherardio Bosio-n që ka kryer projektin e kryeministrisë, ka detajuar çdo interier, perdet, divanet, tavolinat, të vizatuara me një dizajn personal të arkitektit. Çdo gjë ne donim ta rivlerësonim. Kurse ndërhyrjet e reja që mbajnë emrin e arkitektëve bashkëkohorë ne i mendojmë ndryshe. Siç shihet, studimi në fjalë nuk është vetëm analizë shkencore e të dhënave, por ai propozon nëpërmjet ridizenjimeve kritike të objekteve disa hipoteza projektesh për rikualifikimin e tyre.
Nga studimi i Teatrit Kombëtar u arrit në përfundimin që objekti është ndërtuar me një teknologji shumë moderne për kohën. Dhe këtu autorët e studimit sigurisht që janë të informuar edhe për debatet që erdhën në vitet dymijë për shembjen e objektit. Ata jo vetëm që nuk i pranojnë zërat që ky teatër nuk mban më, por rastin e tij e shohin si shembull për arkitektura të reja. Kjo nënkupton që duke marrë këtë lloj tipologjie ndërtese, këtë lloj prefabrikimi, me teknologji të reja mund të bëhet konservimi i objektit, Por gjithmonë të frymëzohesh e të marrësh principet konstruktive, ideologjitë e asaj arkitekture duke i përshtatur me nevojat e sotme, shton Frida.
Hotel Dajti, objekti i tretë në shqyrtim përgjatë aksit monumental, është studiuar si një hotel luksi nga të paktët në një Ballkan që jetonte kohë të vështira, me qëllimin për të dhënë një propozim për të sotmen. Frida i bashkohet zërit të shumë specialistëve që janë shprehur në këto vite për mbrojtjen e Hotel Dajtit, që tekefundit destinacioni i tij të mos ndërrojë. Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë gjendje ku ndodhen monumentet e aksit monumental. Nëse do donim ti bënim një propozim tjetër UNESCO-s, ky do të ishte: i gjithë aksi monumental i Tiranës pa ndërhyrjet e reja, të shpallet pasuri botërore e njerëzimit. Do të ishte një vlerë shumë e lartë, sepse ky aks është krijuar në një mënyrë unike, është menduar për të krijuar një qytet modern.
Po ti referoheshim mesazheve të prof. DAmato-s, moderniteti i një qyteti, rinovimi i tij, nuk mund të ekzistojë nëse këputen lidhjet me traditën. Kuptimi në këtë formë i Tiranës moderne kërkon sa përgjegjësinë e politikës aq edhe përgjegjësi sociale. Këtu prof. DAmato është nga që beson se përgjegjësia sociale ndoshta nuk i përket më kësaj bote.

Arkitekt Marco Stigliano
Intervista/ Me arkitektin nga Bari Marco Stigliano
Teatrin Kombëtar ruajeni si një bizhu!
Arkitekti nga Bari Marco Stigliano është një nga autorët e studimit Arkitektura moderne italiane për qytetet e Shqipërisë. Modele dhe interpretime. Të kalosh përgjatë aksit monumental të Tiranës e të mos ndjesh aromën e Romës, është një paralele, sipas Stigliano-s, e pashmangshme.
Kur flasim për arkitekturën moderne italiane në Tiranë, çfarë nënkuptojmë?
Klasifikohet si moderne ajo arkitekturë që italianët do të realizonin në Shqipëri në vitet 1920-40. Mua më pëlqen të heq një paralele me Romën. Historian nuk jam por, si arkitekt e vë veten në pozitën e arkitektëve italianë që në