E Diel, 1 Nëntor 2026

Garcia Marquez nuk do të shkruajë kurrë më

Gabriel Garcia Mrquez

Mbi shkrimtarin kolumbian Gabriel Garcia Marquez ka rënë hija e Alzheimerit. Nuk do  të shkruajë më kurrë, i vënë kapakun miqtë e ngushtë të tij. Lajmi shokues del në një intervistë, që i është dhënë gazetës elektronike kolumbiane Kien&Ke.com nga miku i shkrimtarit, Plinio Apuleyo Mendoza. Ata kishin shkruar bashkë në vitin 1982 veprën El olor a la Guayaba. Gabo nuk njeh më as miqtë më të afërt, – pohon Mendoza në intervistë, ribotuar sot nga Huffington Post. Jam shumë i shqetësuar, sepse nëna dhe vëllezërit e tij kanë vdekur të gjithë nga Alzheimeri.

Për të konfirmuar thashethemet mbi gjendjen e shëndetit të 85-vjeçarit, fitues i Nobelit për Letërsinë, i konsideruar përfaqësuesi më i rëndësishëm i realizmit magjik në prozë, del në skenë edhe biografi i tij zyrtar, Dasso Saldívar. Garcia nuk do të mund ta mbarojë pjesën e dytë të autobiografisë së tij Të jetosh për të rrëfyer, i ka deklaruar ai të përditshmes kiliane «La Tercera».

Nuk është hera e parë që rrethi i të afërmëve dhe të njohurve të tij shtrëngohet të shprishë murin e heshtjes me të cilin Marquez ka mbrojtur gjithmonë jetën e tij private. Përpara dy vitesh, gjithmonë në faqet e «La Tercera», ai u shfaq në një intervistë, ku agjentja e tij letrare Carmen Balcells, shqiptonte trishtueshëm se Garcia Marquez nuk do të shkruajë më kurrë.

Tani për tani familja e shkrimtarit as i pohon dhe as i përgënjeshtron zërat për rëndimin e gjendjes shëndetësore të Marquez-it, i cili i mbijetoi një tumori diagnostikuar në vitin 1999.

Në maj të këtij viti, autori i romaneve «Njëqind vjet vetmi», «Dashuria në kohërat e kolerës», qe viktimë e një shakaje shumë të hidhur, kur një faqe false në Tëitter përdori emrin e Umberto Ecco-s, për të dhënë lajmin e vdekjes së Gabriel Garcia Marquez-it.  Spekulimi bëri xhiron e botës, duke detyruar Jaime Abello Banfi, drejtorin e Gabriel García Márquez Foundation, të publikojë një përgënjeshtrim zyrtar.

Përgatiti: Magdalena Alla

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›