E Diel, 1 Nëntor 2026

Bullgaria fiton Eurovision 2026, Alis me këngën “Nan” renditet në vendin e 13-të

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Festivali evropian i këngës Eurovision 2026 u fitua nga Bullgaria me 516 pikë pas votimit të jurisë profesioniste dhe votave të publikut.

Bullgaria u përfaqësua nga këngëtarja DARA me këngën “Bangaranga”  shkruar nga Anne Judith Wik, Cristian Tarcea, Darina Nikolaeva Yotova dhe Dimitris Kontopoulos.

DARA është një nga muzikantet më të njohura të muzikës pop në Bullgari dhe një figurë e shquar në skenën moderne muzikore ballkanike.

Këngëtari shqiptar Alis me këngën “Nan” u rendit në vendin e 13-të në natën finale të Eurovision 2026, në Vjenë (Austri), ku mori 145 pikë nga juria profesioniste dhe votat e publikut.

Shqipëria mori mbështetje të konsiderueshme nga disa shtete, mes tyre 12 pikë nga Portugalia dhe 10 pikë nga Mali i Zi. Në votat e saj, Shqipëria i dha 12 pikët maksimale Italisë dhe 10 pikë Norvegjisë.

Kënga shqiptare “Nan” ishte një nga këngët më të komentuara dhe më të klikuara të këtij edicioni.

Me performancën e tij Alis elektrizoi publikun në arenë. Ai u duartrokit për performancën drithëruese, ndërsa në sfond të skenës shfaqej imazhi i artistes Rajmonda Bulku, një gjetje kjo e skenografisë që lidhet me portretin e nënës shqiptare dhe mesazhin thelbësor të kësaj kënge.

Kënga “Nan” tërhoqi vëmendjen për mesazhin e saj të fuqishëm dhe interpretimin artistik nga këngëtari Alis.

Në natën finale interpretuan 25 këngëtarë.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›