GJERMANI – Pistorius: Hapësira po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe në konfliktet ushtarake

BERLIN, 18 maj /ATSH-DPA/- Kapacitetet mbrojtëse në hapësirë po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe dhe po zhvillohen me shpejtësi në të gjitha format e konflikteve ushtarake, deklaroi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pas takimit në Berlin me homologët e tij nga Austria, Zvicra dhe Luksemburgu.
Pistorius tha se gjatë vizitës së tij në Ukrainë javën e kaluar kishte parë “se si Ukraina ka qenë në gjendje, me ndihmën e Starlink dhe teknologjisë moderne të dronëve, të godasë logjistikën e pushtuesve rusë pas vijës së frontit”.
Sipas tij, paqja duhet të sigurohet “edhe përmes kapaciteteve parandaluese në hapësirë”.
Ministri gjerman theksoi rritjen e bashkëpunimit në trajnimet e përbashkëta për objektet në orbitë dhe shmangien e përplasjeve, si edhe në zbulimin dhe mbrojtjen e sistemeve satelitore.
Në takim morën pjesë ministrja austriake e Mbrojtjes, Klaudia Tanner, ministri zviceran i Mbrojtjes, Martin Pfister, dhe ministrja e Mbrojtjes e Luksemburgut, Yuriko Backes./ /Ad.Ab./ a.jor.