Bullgaria pjesë e eurozonës, Komisioni Europian i jep dritën jeshile përdorimit të euros si monedhë zyrtare

Duke nisur nga data 1 janar 2026, Bullgaria do të jetë vendi i 21-të i eurozonës. Kjo pasi Komisioni Europian i dha të mërkurën (4 qershor) dritën jeshile për përdorimin e euros si monedhë zyrtare në atë vend.
Komisioni Europian doli në përfundimin se Bullgaria është gati të ketë euron monedhë zyrtare duke nisur nga 1 janari i vitit 2026. Ky hap themeltar, kyç në anëtarësimin e saj si vendi i 21-të i eurozonës, u shpreh nga organi ekzekutiv i Bashkimit Europian në një deklaratë të fundit.
Që kur u bë pjesë e Bashkimit Europian në 2007-ën, Bullgaria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndryshuar monedhën kombëtare nga leva në euro. Por, pas një pritjeje të gjatë, shumë bullgarë kanë humbur entuziazmin fillestar, pasi sipas një sondazhi të realizuar në maj, 50 për qind e të anketuarve shfaqën skepticizëm ndaj euros.
Duke u bërë anëtare e eurozonës, përveç përdorimit të euros, Bullgaria do të ketë një vend në Këshillin Qeverisës të Bankës Qendrore Europiane.
Rekomandimi pozitiv që Komisioni dha erdhi pasi Bullgaria përmbushi kriterin e nivelit të inflacionit, i cili nuk mund të jetë më shumë se 1.5 përqind mbi nivelin e tre vendeve europiane me performancën më të mirë të inflacionit. Ky rekomandim pritet të miratohet në fund të këtij muaji nga udhëheqësit europianë.
Në muajin korrik, ministrat e financave të Bashkimit do të rregullojnë kursin e këmbimit që do të përdoret për konvertimin e levit bullgar në euro, ndërsa gjatë pjesës së mbetur të vitit vendi do të bëjë përgatitjet teknike për këtë tranzicion.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/