E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ekzekutimi i Edmond Papës në Tiranë, prokuroria kërkon 30 vite burg për autorin

Prokuroria e Tiranës ka paraqitur konkluzionet përfundimtare për dy të pandehurit në lidhje me vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës në kryeqytet.

Për Andrew Bode, i dyshuar si ekzekutor i 49-vjeçarit, organi i akuzës ka kërkuar 30 vite burg për veprat penale “vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve”. Ndërsa për Alban Velo, 30-vjeçarin e arrestuar pak ditë pas ngjarjes, është kërkuar 25 vite burg, gjithashtu për “vrasje me paramendim” në bashkëpunim.

Prokurori i çështjes, Albert Kuliçaj, kërkoi që të dy të pandehurit të vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që përfaqësojnë.

Ngjarja ndodhi më 16 dhjetor 2022, kur Edmond Papa u qëllua me 9 plumba në rrugën “Fadil Bodinaku”. Ai ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa autorët u larguan menjëherë nga vendi i krimit. Hetimet zbuluan se vrasja ishte e mirëorganizuar dhe kishte motiv hakmarrjen.

Papa ishte një emër i njohur në biznesin e hotelerisë në Sarandë. Ai kishte precedent penal në Greqi për trafik droge dhe ishte i skeduar më parë edhe në Britaninë e Madhe.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›