Bulqiza pa ujë të pijshëm, dyshime për fondin e Ujësjellësit
Këshilli
Problemi i zgjatur i mungesës së ujit të pijshëm për banorët e qytetit të Bulqizës, ka vijuar gjatë gjithë muajve të nxehtë të verës. Këshilltarët bashkiakë kërkojnë ndërhyrjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të inspektuar se ku kanë shkuar fondet e dhëna nga buxheti i shtetit për Ndërmarrjen e Ujësjellësit. Në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak, një nga pikat e rendit të ditës, që ngjalli debate të ashpra mes këshilltarëve, ishte edhe informacioni i dhënë nga ana e drejtorit të këtij ujësjellësi, Sami Bruçi. Sipas këtij informacioni, u mësua se treguesit ekonomiko-financiarë të kësaj ndërmarrjeje janë skandaloze, pasi arkëtimet e faturave të ujit kanë rënë në masën 46%, ndërsa shpenzimet 54%. Një tjetër problem kishte të bënte me faturat e shpenzimeve të larta të bëra nga kjo ndërmarrje, të cilat, sipas tyre nuk kanë qenë eficente, pasi në asnjë rast nuk kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e prurjeve të ujit për qytetarët. Dyshimet për një keqmenaxhim dhe keqpërdorim fondesh të kësaj ndërmarrjeje lidhen edhe me pagesën aforfe të faturave të harxhimit të ujit, ndërkohë që raportohet për vendosjen e matësve të ujit për çdo familje. H.L
Bulqiza pa ujë të pijshëm, dyshime për fondin e Ujësjellësit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip