Bulqizë- Vdekja e minatorit, arrestohen 5 punonjës. Policia: Nuk siguruan kushtet e mbrojtjes

Pesë persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar ditën e djeshme në minierën e Bulqizës ku një prej punonjësve humbi jetën si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor.
Policia ka bërë me dije se punonjësit e stafit teknik të vënë sot në pranga, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në minierë.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. Sh., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.
Paraditen e djeshme, humbi jetën 66-vjeçari F.V., teksa ishte duke punuar në një subjekt minerar në Bulqizë.
“Me datë 06.08.2025, rreth orës 11.40, dyshohet se është aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Bulqizë dhe ka humbur jetën, shtetasi F.V., rreth 66 vjeç, me detyrë ndihmës armator”, thuhej në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/