Bulqizë, Berisha: Miratojmë statusin e minatorit brenda 100 ditëve të para

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi të hënën një takim me minatorë në Bulqizë, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Në këtë takim, Berisha iu premtoi atyre se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së PD-së, do të miratojë statusin e minatorit.
“Shoqëria shqiptare, shteti shqiptar kanë qenë të padrejtë ndaj minatorëve të Bulqizës dhe Shqipërisë. Shoqëria ka borxh të madh ndaj minatorëve. Siç ka borxh ndaj pronarëve, ndaj të përndjekurve politikë. Tre janë kategoritë ndaj të cilave shoqëria shqiptare ka detyrime”, tha Berisha.
Sipas tij, në mënyrë përfundimtare, ndaj këtyre tre kategorive, borxhi do të shlyhet.
“Kjo do të thotë se në 100 ditët e para do firmoset dhe do zbatohet statusi i minatorit. Do të parashikohet rrogë minimale 1 mijë euro. Pensionet tuaja do jenë më të lartat në Shqipëri”, theksoi Berisha.
Kreu i PD-së, në fjalën e tij tha se trajtimi mjekësor për minatorët do jetë krejtësisht i veçantë, sipas profilit të minierave.
“Do mbrohet me çdo kusht shëndeti juaj. Minierat kanë grimcat, është e njohur. Pra, shëndeti i minatorit do ketë një përparësi të madhe”, tha Berisha, duke nënvizuar se renta minerare do t’i mbetet komunitetit lokal.
“Ne futëm për herë të parë rentën sepse ne jemi parti e taksave të ulëta. Ajo taksë të ngelej për Bulqizën, për shkollat, për qendrën shëndetësore. Dhe marrëveshja ndërkombëtare e Shqipërisë për rentën ka këtë përcaktim. Renta u vendos mbi një kuadër ndërkombëtar të OKB-së, sipas të cilës, ajo duhet të merret dhe t’u jepet autoriteteve lokale për nevoja. Këta e grabisin, e marrin vetë. Merr fund ajo. Renta do i mbetet komunitetit lokal”, tha Berisha.
/rtsh.al/