E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minatorët përleshen me policinë në Qafën e Buallit

BULQIZË- Pas 38 ditësh protesta e 18 ditësh grevë urie në thellësitë e nëntokës, minatorët e Bulqizës dhe familjarët e tyre kanë bllokuar rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë. Rreth orës 08.30 minuta të mëngjesit të djeshëm, mbi 300 persona janë përleshur për minuta të tëra me policinë e Dibrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të ardhur nga Tirana e Shkodra. Në krye të protestuesve ishin vënë gratë dhe fëmijët e minatorëve të ngujuar nëntokë, ndërsa përplasja e parë është regjistruar në dalje të qytetit, te vendi i quajtur “Karburanti”. Kordoni i policisë, i drejtuar nga kreu i drejtorisë së Dibrës, Artan Hasanaj, ka tentuar ndaljen e udhëtimit të protestuesve drejt Qafës së Buallit. Fillimisht u është bërë thirrje protestuesve të tërhiqeshin, pasi nuk do të lejoheshin të bllokonin rrugën nacionale, aq më tepër kur ajo po frekuentohet nga turistët, emigrantët dhe mjetet e tjera të transportit. Policia ka larguar me forcë nga rruga burrat që ishin shtrirë përtokë dhe nuk lejonin lëvizjen e makinave. Burrat-protestues mbështeteshin fort nga gratë e minatorëve në përplasjen me forcat e policisë. Nuk kanë munguar shkopinjtë e gomës për të penguar bllokimin e rrugës, ndërsa ata paralajmëruan se sërish sot do të jenë në rrugë, deri në zgjidhjen e kërkesave ekonomike.

Në pritje të marrëveshjes

Kryetari i komisionit të grevës së urisë, Luan Nika, deklaroi për “Mapo”-n se dhjetëra familjarë qëndrojnë me ditë e net pranë derës së galerisë, ndërkohë që qarkulluan zëra se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë mund të ndërhyjnë me forcë për të nxjerrë grevistët nga galeria. “Na kanë kërkuar të jemi të pranishëm në një takim në Peshkopi. Jemi të habitur pse duket të shkojmë në Peshkopi, kur kompania ACR e ka pronën e saj këtu në Bulqizë. Pastaj pse duhet të jemi ne në një tryezë me përfaqësuesit e Gëzim Kalasë, kur dihet që kjo sindikatë nuk ka asnjë lidhje me minierën dhe ACR-në”, - tha Nika në shenjë proteste. Komisioni i grevës ka vendosur që të mos marrë pjesë në takime të tilla, të cilat i quajnë të trukuara. “Nëse deri nesër nuk zgjidhen kërkesat, ne nuk ulemi më në bisedime me përfaqësues të firmës, por do të kërkojmë që të jetë i pranishëm pronari i ACR-së” - tha Nika.

Policia bën gati paditë

Nga ana e policisë është konstatuar se një grup prej 250 personash, punëtorë të minierës së Kromit Bulqizë të subjektit “Albania Crom” sh.p.k, në vendin quajtur “Qafa e Buallit” në mënyrë të kundërligjshme kanë bllokuar aksin rrugor Dibër-Tiranë. Menjëherë janë organizuar shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Bulqizë, të mbështetura edhe nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër dhe një grup i forcave të Repartit 712 Tiranë, të cilët pasi morën masat e duhura për mbajtjen nën kontroll të kësaj situate arritën të bënin edhe zhbllokimin e aksit. “Nga ana jonë janë bërë veprimet e duhura hetimore e procedurale, duke identifikuar organizatorët e këtij grumbullimi të paligjshëm’, - bëri të ditur policia. Policia e Dibrës ka nisur procedimin penal për Luan Nikën, kryetar i komisionit të grevës së urisë; Sadik Kamishin, anëtar i komisionit të grevës së urisë; dhe Bajram Dukën, anëtar i këshillit sindikal të minatorëve. Po ashtu, procedimi penal ka filluar edhe ndaj 27 shtetasve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këtë tubim të paligjshëm. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme, ndërsa situata po mbahet nën kontroll nga forca të shumta të policisë.

P.Hasa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›